TikTok” nuk është më i aksesueshëm në shumicën e telefonave smart. Kështu të paktën bëri me dije sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë “takimit” të tij me qytetarët në rubrikën “Sy m’sy”. Që në mëngjes, Rama dha lajmin se aplikacioni nuk mund të përdoret më, duke kërkuar durim derisa “TikTok” të hapet në një moment të dytë. Lajmin e konfirmoi edhe Saimir Kapllani nga Drejtoria e Riskut dhe Kontrollit. Sot, aplikacioni nuk u hapet më atyre që kanë të lidhur shërbimin 4G apo 5G me kompanitë telefonike, por në të gjithë aparatet që kanë wireless, “Tik Tok” hapet pa problem.
“Mbrëmë në orën 12 të natës është finalizuar faza e parë në rrjetin mobile, faza e radhës është mbyllja në rrjetin fiks, në bashkëpunim me operatorët do implementojmë masa të tjera teknike.”
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, AKSK, tha për ZËRI-n se në bashkëpunim me entet rregullatore si Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe ofruesit e shërbimeve të internetit (ISP), po zbaton një strategji teknike për filtrimin e aksesit ndaj platformës “TikTok”.
“Kjo përfshin përdorimin e metodave të filtrimit të DNS, IP dhe SNI (Server Name Indication) për të bllokuar platformën TikTok. Procesi është duke u zbatuar në disa faza. Një pjesë e tij është tashmë në funksion, ndërsa fazat e tjera teknike po finalizohen. Implementimi teknik shfaq kompleksitet dhe mendohet që brenda pak ditësh bllokimi i aksesit të jetë implementuar në territorin e Republikës së Shqipërisë,”-shkruan AKSK në përgjigje për “ZËRI“.
Po ashtu, kreu i qeverisë, paralajmëroi qytetarët që përdorin aplikacione të tjera për të ndryshuar “VPN” që të kenë kujdes, pasi sipas tij, kjo mënyrë, është shumë e rrezikshme.
“Dihet botërisht se hackerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Rrini pa TikTok për ca kohë deri kur të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila do të vijë së shpejti në Shqipëri dhe do të paraqesë planin për adoleshentët”.
I pari që duket se nuk e ka dëgjuar paralajmërimin e Ramës është kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit, në një konferencë për shtyp tha se ai vetë e ka shkarkuar një aplikacion për “VPN” dhe me të lundron si më parë në aplikacionin që tashmë është kthyer në të ndaluar në vendin tonë.
“Kjo e imja (llogaria në TikTok) është në rregull, kam shkarkuar VPN dhe është në rregull. I ftoj të rinjtë të shkarkojnë VPN dhe të vazhdojmë betejën tonë kundër censurës. Nuk duhet t’i nënshtrohemi censurës, është një akt i shëmtuar,”- tha Berisha në konferencën për mediat.
Ndërkohë që nga masat e marra ka përfituar edhe kompania “ProtonVPN“. Pasi lajmëruan se përdorimi i ‘ProtonVPN’ në Shqipëri është rritur 1200%, vazhdojnë dhe bëjnë reklamë për veten në rrjetin “X“. Në një postim të pak ditëve më parë, shkruajnë: Lufta për lirinë e Internetit vazhdon në Shqipëri. Proton VPN-i është zgjidhja më e mirë falas për të rifituar qasje të hapur në internet. Shpërndaje këtë me njerëzit që e di se janë prekur nga faza e fundit e censurimit të internetit në Shqipëri.
Por që prej mëngjesit, shumë ekspertë kanë dalë në media dhe kanë këshilluar qytetarët që të mos përdorin VPN, për të ruajtur kështu të dhënat personale që kanë në celularë. Besmir Semanaj thotë se: Përdorimi i VPN maskon trafikun dhe vendndodhjen e personin që e përdor. VPN falas që ndodhet në Google dhe Apple e bëjnë edhe më të sigurt përdoruesin. VPN zyrtare ofrojnë edhe versione falas. Por kjo nuk do të thotë që të nxisim qytetarët që t’i përdorin.
Ndërsa Erion Demiri, ekspert IT, thotë se TikTok-u do të jetë sërish në telefonat e shqiptarëve edhe pa qenë nevoja e një VPN-je.
“Metoda më normale me të cilën mund të mbyllet një platformë është duke dhënë një sasi të madhe adresash për ISP-të e ndryshme, të cilat kanë për detyrë që të bllokojnë këto adresa. Për momentin, ofruesit e shërbimit të internetit dhe kompanitë telefonike po i bllokojnë manualisht këto adresa. Nuk është kjo mënyra që duhet të ishte zgjedhur. Kjo është mënyra më e vështirë dhe njëkohësisht më pak efikase, sepse platformat e mëdha si TikTok-u i ndryshojnë vazhdimisht adresat e tyre. Nëse ne arrijmë një rezultat, ato do ta ndryshojnë shumë shpejt adresën dhe do të kthehet në një lojë,”- shtoi eksperti.
Por, çfarë është VPN?
VPN (Virtual Private Network) është një aplikacion që fsheh adresën IP të përdoruesit dhe vendndodhjen e tij. Për këtë arsye, shumë përdorues po kthehen te përdorimi i VPN për të shmangur bllokimin e TikTok-ut në Shqipëri, pasi me VPN përdoruesit duket sikur e përdorin internetin nga një vend tjetër, duke i mundësuar aksesin në platformë. Por ekziston rreziku që disa VPN falas mund të mbledhin informacionin tuaj dhe ta shfrytëzojnë atë për qëllime komerciale, si shitjen e të dhënave personale te kompani të tjera. Kjo mund të rrezikojë privatësinë.
Pse u mbyll TikTok?
Vendimi për bllokimin e TikTok u mor nga qeveria pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Kryeministri Edi Rama tha se dhuna dhe gjuha e urrejtjes që shpërndahet në TikTok po ndikon për keq në shoqëri, ndaj pas një diskutimi me prindër dhe mësues, vendosën për mbylljen e TikTok. Por, pas vendimit ka pasur një reagim nga kompania mëmë, e cila bëri me dije se i mituri nuk kishte një llogari në aplikacionin e tyre, por në “Snapchat”. Këtë version e ka mbështetur edhe familja e Martin Canit. Megjithatë, duket se sqarimi i tyre nuk është marrë parasysh për vendimin final.
Ndërkohë, një ditë më parë, Asocacioni për Gazetarët Shqiptarë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen anti-kushtetues të vendimit të qeverisë shqiptare për mbylljen e platformës TikTok.
Kur do hapet TikTok?
Tashmë, kompania, e cila ka 1.5 milion përdorues shqiptarë, thuhet se është në diskutime me qeverinë Rama për të sjellë një paketë me masa sigurie. Nga kreu i qeverisë është bëre me dije se Ministria e Arsimit dhe Sportit së bashku me autoritetet rregullatore sektoriale pritet të komunikojnë dhe negociojnë me përfaqësuesit e platformës “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera online, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë. Ndërsa kryedemokrati Sali Berisha thotë se do ta rihapë TikTok më 12 maj, nëse fiton zgjedhjet parlamentare