Rama zbulon projektet për 2024/ Nga Porto Romano te shoqëria aksionere për prodhimin e makinave

SHËNGJIN – Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes 2-ditore në Shëngjin të Lezhës, ka mbajtur një konferencë me gazetarët. Përpara se gazetarët t’i drejtonin pyetje kreut të qeverisë, Rama ka zbuluar projektet më të rëndësishme për vitin e ri 2024.

Rama deklaroi se në mbledhjen 2-ditore është folur edhe për çështje infrastrukturore. Ai theksoi se brenda këtij viti, do të hapet për qarkullim aksi rrugor Thumanë-Kashar, për të cilin tha se është shumë i rëndësishëm, si pjesë e Korridorit Blu. Rama tha gjithashtu se punohet për fazën e parë të procesit të segmentit Milot-Murriqan. Ai shtoi se është folur në lidhje me adresimin për financimin e bypassit të madh të Elbasanit.

Po ashtu, Rama deklaroi se gjatë 2024, me gjasë do të përfundojë edhe segmenti i parë hekurudhor Tiranë- Durrës. Në fjalën e tij, kryeministri deklaroi gjithashtu se do studiohet mundësia për të ndryshuar linjën hekurudhore Durrës- Prishtinë, në mënyrë që kjo linjë të kalojë edhe në Shkodër dhe në Gjakovë.

Në deklaratën e bërë për mediat, kryeministri i vendit Edi Rama u shpreh se Porti i Durrësit në Porto Romano do të ndërtohet me financim të brendshëm. Sipas Ramës, ky ndryshim bëhet, me qëllim që qeveria të mos varet nga kohët e tejzgjatura dhe ngarkesat e tjera, që burojnë nga financimet e huaja.

Gjithashtu, kryeministri Rama theksoi se gjatë këtij viti do të nisë aktiviteti i Agjencisë Kombëtare të Transportit. Rama tha se Agjencia Kombëtare e Transportit do i shërbejë kalimit në një tjetër nivel të të gjithë sistemit të transportit. Ai tha se kjo agjenci do të mbulojë edhe një mision tjetër shumë me rëndësi, atë të transportit të mësuesve dhe të nxënësve. Rama nënvizoi se ka nisur puna prej kohësh, dhe se për 2-3 muaj do të kemi krijimin e një shoqërie aksionere për prodhimin e automjeteve,për nevojat e shtetit dhe për eksport. “Është një projekt shumë i mirë që do na japë mundësinë të prodhojmë për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Brendshme, të Agjencisë Kombëtare të Transportit dhe për eksport duke u bazuar tek gjenialiteti dhe ekspertiza e pamohueshme e një vajze shqiptare, me të cilën jemi duke ndërtuar këtë proces me ndërmarrjen e saj modeste që fitoi garën ndërkombëtare për të dërguar autoambulanca nga Ukraina deri në Serbi”, tha Rama.

Rama më tej theksoi se Vlora është një nga 10 destinacionet më të rezervuara në botë për sezonin e ri, në terma relativë. Kryeministri informoi se fluksi i rezervimeve për Vlorën është në dhjetëshen e parë të Booking.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT EDI RAMA PËRPARA GAZETARËVE

Faleminderit që disa prej jush keni marrë mundimin për të ardhur deri këtu dhe keni pritur për një kohë relativisht të gjatë, atëherë, nuk mund t’iu linim pa begenisjen që meritoni. Kemi pasur mbledhjen tradicionale maratonë të shumicës qeverisëse.

Këtë herë kemi pasur 3 sesione, një sesion me drejtuesit e grupit parlamentar, drejtuesit politikë të partisë dhe anëtarët e kabinetit, një sesion të një mbledhjeje të zgjeruar të kabinetit qeveritar me praninë edhe të zëvendësministrave dhe një sërë drejtuesish të institucioneve qendrore dhe sot një sesion të mbledhjes së ngushtë të kabinetit qeveritar.

Si zakonisht, kjo maratonë prek të gjitha aspektet që lidhen me veprimtarinë e shumicës qeverisëse, veprimtarinë politike, parlamentare, qeveritare dhe pastaj duke trajtuar çdo aspekt dhe duke hyrë në çdo sektor, madje dhe nënsektore. Përpara sesa t’ju jap mundësinë që të bëni pyetjet tuaja për ta bërë më produktive dhe për të mos bërë një tjetër konferencë të gjatë si ajo e fund vitit sepse sapo ka filluar viti dhe nuk kemi kohë për fjalë të gjata, meqë jemi këtu në Lezhë dhe meqë këtu, në këtë zonë, ka një pritshmëri të posaçme për Korridorin Blu, dëshiroj të them se në diskutimin për veprat e mëdha të infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale, kemi diskutuar dhe kemi një pamje shumë të qartë të ecurisë së punës me Korridorin Blu.

Faktikisht, brenda këtij viti do të hapim për qarkullim aksin shumë të rëndësishëm nevralgjik Thumanë -Kashar ku thuajse 70% e punimeve janë duke u realizuar, pra, ishte mbi 60 e pak përqind vetëm pak kohë më parë. Kemi qartësi për ecurinë e aksit, e procesit për të filluar punën me aksin Milot-Thumanë, pjesë tjetër shumë nevralgjike pasi e dimë shumë të mirë të gjithë sesa e vështirë është bërë dhe sa shumë do të vështirësohet edhe këtë sezon lëvizja gjatë kohës së verës sidomos nga veriu, drejt jugut apo drejt Tiranës dhe besojmë që do të procedojmë përpara sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar- Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj që praktikisht përfundon gjithë boshtin e Korridorit. Ndërkohë që po punohet për fazën e parë të procesit të segmentit Milot-Murriqan. Po punohet për projektin.

Nga ana tjetër, kemi po ashtu adresuar nevojën për financim të by-pass-it të madh të Elbasanit, në kushtet kur Korridori 8 ecën me shumë shpejtësi falë edhe terrenit të favorshëm dhe gjeologjisë shumë të favorshme deri sot që flasim dhe jemi në kalendar për të përfunduar me segmentin e parë hekurudhor Tiranë-Durrës, sipas gjasave, brenda vitit dhe ndërkohë kemi diskutuar financimin e 4 kilometrave që duhen për të lidhur edhe 10 stacione të tjera nga Kashari në qendër të Tiranës. Jemi në proces dhe besoj që në fillim të vjeshtës do lidhim dhe kontratën për të filluar punën për Vorë-Han i Hotit. Kemi fituar nga fondet europiane financimin për segmentin Durrës-Rrogozhinë ndërkohë që kemi përgatitur aplikimin tjetër për të shkuar më poshtë, Rrogozhinë-Pogradec që të kompletojmë Korridorin 8 edhe me vijën hekurudhore dhe kemi diskutuar po ashtu, sepse ka një komunikim intensiv dhe kthehem prapë këtu në zonë praktikisht, me qeverinë e Kosovës për ecurinë e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe ka një dakordësi në parim nga të dyja strukturat përkatëse të dy qeverive për të eksploruar një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra, për sa kohë, po të kemi Vorë-Han i Hotit, nga Shkodra në Gjakovë dhe në Prishtinë dhe kjo është një zgjidhje shumë e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës.

Po ashtu, kemi pak a shumë kalendarizuar procesin për hapjen e garës ndërkombëtare për Portin e Madh të Durrësit, në Porto Romano për të cilin do të bëjmë së shpejti një ndryshim të natyrës së financimit pasi është një projekt strategjik dhe ka një urgjencë strategjike duke qenë se kemi përfshirë edhe NATO-n në këtë proces për krahun ushtarak të portit dhe jemi në një fazë shumë të avancuar të shkëmbimit të informacionit dhe kështu ndryshimi do të jetë që do të kalojmë me financim të brendshëm në mënyrë që të mos varemi nga kohët e tej zgjatura dhe nga ngarkesat e tjera që burojnë nga financimi i huaj. Këto janë pak a shumë projektet e mëdha që besoj ju interesojnë që të gjithëve.

Një projekt tjetër i madh, jo infrastrukture, por që lidhet me shfrytëzimin e infrastrukturës, është që më në fund finalizojmë këtë vit dhe hapim aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Transportit, jemi një vend që synojmë të bëhemi kampionët absolutë, tani i kam shtuar dhe fjalën “absolut” pozicionit të Shqipërisë në rajon për turizmin.

Nuk e di a e ndoqët një të dhënë të re të Booking.com, është një nga platformat më të mëdha globale të rezervimeve, e cila informoi se Vlora është një nga 10 destinacionet më te rezervuara në botë për sezonin e ri, kuptohet gjithmonë në terma relative.

Nuk do të thotë se do vijnë në Vlorë më shumë turistë sesa do shkojnë në Kinë, por e kam fjalën nga rezervimet e fillimit vitit, fluksi i rezervimeve për Vlorën është në dhjetëshen e parë të Booking.com me disa destinacione të tjera që janë vërtetë destinacione magjike të këtij planeti.

Ashtu sikundër, besoj se keni parë një vend tjetër të publikuar nga agjencitë ndërkombëtare.

Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë në vitin 2023, gjithmonë në terma relativë krahasuar, se çdo vend me vetveten.

Agjencia Kombëtare e Transportit do t’i shërbejë kalimit në një nivel komplet tjetër të gjithë sistemit të transportit dhe Agjencia Kombëtare e Transportit do të mbulojë edhe një mision tjetër shumë të rëndësishëm të transportit të mësuesve dhe të fëmijëve. Kemi filluar punën prej kohësh, por jemi në finalizim dhe besoj do ta dëgjoni në dy tre muajt në vijim, por besoj dhe më shpejt,  krijimin e një agjencie aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit dhe natyrisht edhe për eksport.

Është një projekt shumë i bukur që do të na japë mundësinë të prodhojmë për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme, nevojat e Agjencisë Kombëtare të Transportit dhe patjetër edhe për eksport,  duke u bazuar tek gjenialiteti dhe tek ekspertiza e pamohueshme e një vajze shqiptare, që e njihni të gjithë dhe më të cilën jemi duke ndërtuar këtë proces me ndërmarrjen e saj modeste që sidoqoftë fiton gara ndërkombëtare për të dërguar autoambulanca nga Ukraina deri në Serbi.

Lajme të tjera |  Meta thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhje të dielën: Të braktisim shpopullimin, të zgjedhim ndryshimin

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us