Raporti i DASH: SPAK shkoi në nivele të larta, por Ahmetaj u arratis! Berisha u ‘ngujua’ në shtëpi

Në raportin e përvitshëm të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk munguan as figuart politike, ku përmendet hetimi ndaj ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe hetimi ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

DASH përmend arrestimet e nivelit të lartë nga SPAK-u dhe dënimet për raste korrupsioni, përfshirë dënimet për korrupsion dhe shpërdorim detyre të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të tij të Përgjithshëm Alqi Bllako. Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka gjendet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2021, u dënua me 6 vite e tetë muaj burg për inceneratorin e Fierit.

Më tej raporti flet edhe për ish-zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Financave Arben Ahmetaj, i cili i shpëtoi gjykimit duke u arratisur.

“Në korrik SPAK-u lëshoi një urdhër-arresti ndërkombëtar për ish-zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Financave (dhe deputet i Partisë Socialiste) Arben Ahmetaj. Ai u largua nga vendi pasi parlamenti pranoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Ahmetajt që ai të mund të arrestohej me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie”, thuhet në raport.

Lajme të tjera |  Rrezikohej në Sierra Leone, shqiptari riatdhesohet në Shqipëri

Më 21 mars 2024, SPAK mbylli hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, duke e cilësuar si të pandehur për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Sipas organit të akuzës, Ahmetaj është nën hetim për veprat penale “pastrim parash”, korrupsion në 6 raste, por edhe “fshehje pasurie”.

Në raport përmendet gjithashtu rasti i ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Në tetor, SPAK njoftoi se po hetonte zyrtarisht ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv lidhur me një marrëveshje toke nga e cila dhëndri i tij përfitoi rreth 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës, urdhëroi Berishën të paraqitej rregullisht në policinë gjyqësore dhe i ndaloi daljen nga vendi”, thotë DASH-i.

Berisha ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë që nga data 30 dhjetor e vitit të kaluar. Ish-kryeministri dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv, duke favorizuar dhëndrin në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, përmes nxjerrjes së akteve nënligjore gjatë kohës që qeveriste. Berishës fillimisht iu caktua masa e detyrimit për t’u paraqitur, por ai refuzoi t’i bindej urdhrit dhe Prokurorisë së Posaçme i lindi e drejta ta ndryshojë masën në arrest shtëpie.

Lajme të tjera |  ZGJEDHJET e 11 Majit/ Kandidatët në listat e mbyllura që po bëhen DEPUTETË duke 'ndenjur në shtëpi': Nga Iris Luarasi deri tek Mesila Doda!

Po ashtu Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit njoftoi se deri në muajin gusht kishte referuar gjashtë çështje të reja për ndjekje penale, ku përfshihej një deputet, një prokuror, tre drejtorë në agjencitë qeveritare dhe një administrator në një kompani qeveritare. Akuzat përfshinin refuzimin e deklarimit të pasurisë, fshehjen e pasurisë ose falsifikimin e deklaratave të pasurisë; Pastrim parash; dhe evazion fiskal. 

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us