Shqipëria konsiderohet si një nga partnerët më aktivë të Eurojust! Sipas raportit të përpiluar për vitin 2024, Eurojust thekson se vendi ynë është një nga më aktivët në hetimet dhe aksionet ndërkombëtare kundër trafikimit të qënieve humane, drogës dhe grupeve kriminale. Bazuar në raportin zyrtar të publikuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështje Penale, vendi ynë është përfshirë në 109 raste hetimore ndërkombëtare, duke u listuar në vendin e tretë për bashkëpunim, fill pas Mbretërisë së Bashkuar dhe Zvicrës.
Bashkëpunimi me vendet e treta
Përveç partneriteteve të saj në Amerikën Latine, Agjencia punon me një gamë të gjerë vendesh të treta për të siguruar që kufijtë kombëtarë të mos jenë pengesë për ndjekjen penale të krimit ose për vënien e drejtësisë në vend. Në vitin 2024, 1022 nga rastet e sapohapura të trajtuara nga Agjencia përfshinin një ose më shumë vende të treta. 378 raste të reja u iniciuan nga Prokurorët Ndërlidhës në Eurojust, duke përfaqësuar pothuajse 10% më shumë se në vitin 2023. Zvicra dhe Shqipëria hapën numrin më të lartë të rasteve të reja hetimore, të ndjekura nga Norvegjia dhe Gjeorgjia.
Kontrabanda e emigrantëve
Bashkëpunimi me vendet e treta në rastet e kontrabandës së emigrantëve është jetik, por mund të jetë i vështirë. Prania e Prokurorëve Ndërlidhës në Eurojust e ka lehtësuar dhe intensifikuar shumë bashkëpunimin me këto vende. Shqipëria inicioi numrin më të lartë të rasteve të kontrabandës së emigrantëve në vitin 2024.
Tafiku i drogës
Shqipëria ishte vendi që inicioi më shumë raste ndërkombëtare të trafikimit të drogës në Agjenci në vitin 2024, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, e ndjekur nga Zvicra dhe Norvegjia, ishin ndër vendet që iu kërkua më shpesht që të merrte pjesë në aksione të përbashkëta. Po ashtu, Shqipëria është një nga 12 vendet që ka Prokuror Ndërlidhës të akredituar pranë Eurojust-it, së bashku me vende të tjera si Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Ukraina dhe SHBA.
Në Shqipëri, postin e prokurores ndërlidhëse e ka Fatjona Memcaj, e cila mban detyrën që nga janari i vitit 2021.

Përpara se të fillonte punë në Eurojust, nga viti 2013 deri në fund të vitit 2020, Memcaj ishte Prokurore e Gjykatës së Apelit në zyrën e prokurorisë së dedikuar të Gjykatës së Apelit të Tiranës. Në këtë cilësi, ajo ishte përgjegjëse për çështjet që kërkonin Ndihmë Juridike të Ndërsjellë, në veçanti kërkesat për ekstradim./ZËRI