Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Tiranë për zgjedhjet e 11 majit, Belind Këlliçi, deklaroi se në rast fitoreje të PD-së, emri i kryeministrit të ri do të përcaktohet përmes një referendumi brenda partisë. I ftuar në News24, Këlliçi la të kuptohet se nuk është e sigurt që shefi i qeverisë së ardhshme do të jetë Sali Berisha. Ai theksoi se beteja politike nuk është për pushtet personal, por për të rikthyer demokracinë dhe shpresën tek qytetarët.
“Berisha e ka thënë se do ketë referendum nëse PD fiton zgjedhjet. E ka thënë prej një viti. Berisha e mban fjalën. Fokusi është këtu. Nuk i ka hyrë kësaj gare Berisha dhe PD për pushtetin personal të kujtdo, qoftë edhe Sali Berishës. Është njeriu më i arrirë në politikën shqiptare sot. Ka qenë president kryeministër, kryetar i opozitës. Sali Berisha e ka vullnetin, po e tregon çdo ditë, është aktiv në disa mitingje brenda ditësh, në dhjetëra takime me qytetarë, konferenca ndërkombëtare, takime me të huaj, intervista. Berisha nuk ka hyrë në betejë për ambicie për ambicie, personale, as për karrige as për pushtet. I ka pasur të gjitha,”– u shpreh Këlliçi.