Plani për federatën e opozitës duket se është lënë mënjanë, nga ‘gara’ e grupeve mes demokratëve që do të miklohen nga kryeministri Edi Rama, të cilit i duhen 84 votat për kalimin në Kuvend të Reformës Zgjedhore, dhe ligjeve të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Fill pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Edi Rama, i cili tha se Reforma Zgjedhore mund të hartohet dhe pa opozitën, grupimet në PD nisën përplasjet e tyre. Fillimisht duket se u vetëofrua grupimi i Lulzim Bashës, me një deklaratë të bërë nga Kreshnik Çollaku, i cili indirekt rendiste 3 kushte përmes të cilave mund të arrihej bashkëpunimi.
Listat e hapura, Vota e Diasporës, Vetingu politik, ishin 3 kushtet e propozuara nga Çollaku që sipas tij janë të domosdoshme të bëhen përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Në orët që pasuan, reagimet u shtuan, ndërsa gjatë ditës së sotme, ishte radha e kampit të Rithemelimit për të reaguar, përmes Flamur Nokës, i cili pranoi përpjekjet që po bëhen për bashkimin e opozitës, por këmbënguli që jashtë federatës të lihen Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj. Noka nuk kurseu as thumbat për Lulzim Bashën, i cili gjatë ditës së sotme, pritet të ketë dhe konferencën e parë me gazetarët, pas një periudhe të gjatë heshtjeje. Sipas Nokës, urdhërin për t’u zgjuar nga gjumi, Basha e ka marrë dje nga kryeministri Edi Rama, i cili me ironi nuk pranoi të përgjigjej për kundërshtarin e tij politik, duke thënë se ishte duke fjetur.
“Me aleatët ne jemi në bisedime. Është hedhur një tezë për krijimin e një federate. Sigurisht që në kontaktin e parë që kemi pasur është diskutuar dhe është lënë që do të hartohet një platformë për të konceptuar idenë e bashkimit. Jemi në përpjekje të vazhdueshme për të bashkuar opozitën.
Kur them për të bashkuar opozitën, e kam thënë dhe e them, PD është e qartë në qëndrimin e saj, opozitë konsiderohet çdo forcë politike, çdo organizatë jofitimprurëse, që mbron demokracinë dhe bën opozitë me regjimin. Në rast se ju mendoni tjetër qasje, kjo nuk është qasja e PD. Është e qartë kur të flasim për çështjen e qeverisë dhe për marionetat e saj apo ushtarët e saj, mund të përfshijmë Bravën. Brava për ne dhe Alibasha nuk është opozitë.
Po u them vetëm një gjë? E ndoqët intervistën e kryeministrit dje? Zgjohu nga gjumi, i tha. Të jeni të sigurt se sot do zgjohet nga gjumi. Pra, mori një urdhër indirekt nga televizioni dhe sot do zgjohet. Flasim për faktorët opozitarë, jo për faktorët qeveritarë.
Ne kemi bërë punë të madhe për bashkimin e PD-së dhe opozitës dhe po vazhdojmë ta bëjmë. Jemi të hapur në këtë pikë dhe çdo individ që është demokrat dhe opozitar, përjashto Bravën dhe Alibashën, do jetë pjesë e punës tonë për t’u bashkuar dhe krijuar frontin apo federatën kundër këtij regjimi kriminal që kemi përballë. Në këtë bashkim, përjashtohen vetëm dy pengjet, njëkohësisht mercenarët e Edi Ramës”, u shpreh Noka gjatë ditës së sotme. Kundërpërgjigjen për Nokën e dha Edvin Kulluri, Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD-në e Bashës, i cili tha se grupimi i Rithemelimit kërkon që të pengojë Reformën Zgjedhore.
Nisur nga deklarata e sotme e përfaqësuesve të Foltores, demokratët dhe opinioni publik duhet të dijnë se:
1) Këta që sot pretendojnë bashkim të opozitës janë shkaku i përçarjes së saj;
2) Loja me përplasje në Kuvend për të penguar reformën zgjedhore shkon kundër interesit publik për një parlament të qytetarëve dhe jo kryetarëve;
3) Çdo përpjekje e Foltores për të qenë “partizanët” e Ramës është e dështuar, pasi populli opozitar nuk ka nevojë për hallexhinj por për drejtues moral të opozitarizmit.
4) E vetmja rrugë që kanë “opozitarët e rrugicave” për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike është që të mbajnë qëndrim të qartë për personat e shpallur Non-Grata, duke u ndarë përfundimisht nga ta. Kjo kërkon njerëz të lirë dhe me dinjitet”, ka shkuar Kulluri.
Derisa opozita të gjejë rrugën e bashkimit, nëse kjo do të arrijë të ndodhë, muajt kalojnë, njësoj si dhe afatet për Reformën Zgjedhore, e cila duhet të përmbyllet 6 muaj përpara zgjedhjeve të pranverës së vitit të ardhshëm. Nëse nuk do të ketë një diskutim më herët, vota e emigrantëve rrezikon sërish të mbetet një premtim në letër, ashtu si dhe shpresat e demokratëve për të arritur të fitojnë pas 12 vitesh një mandat qeverisës. Po ashtu listat e hapura, një prej kërkesave të kahershme të opozitës rrezikon që të mbetet rrugëve, nëse nuk do të ketë një marrëveshje të minutave të fundit mes socialistëve dhe grupimit të Lulzim Bashës që e ka deklaruar si një prej kusheteve për dialog./ZËRI