Kryeministri Edi Rama është pyetur në një intervistë për “Zërin e Amerikës” lidhur me korrupsionin dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, të cilat mbeten një problem që opozita dhe disa raporte ndërkombëtare e cilësojnë si shqetësim të vazhdueshëm.
“…Nuk më vjen mirë në aspektin njerëzor dhe personal për njerëz të cilët i njoh, me të cilët kam punuar, me të cilët kam bashkëpunuar nga më larg ose nga më afër, por kur bëhet fjalë për detyrën që kam, kur bëhet fjalë për misionin që udhëheq, kur bëhet fjalë për faktin se ky është një proces i dhimbshëm, përmes së cilit Shqipëria do të bëhet më në fund shteti, që nuk u bë kurrë dhe, falë të cilit në Shqipëri pandëshkueshmëria tanimë nuk është një mit, por është një monument i rrëzuar, dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga shpallja shtet më 1912-n, ka individë të lidhur me pushtetin politik, qofshin në radhët e shumicës që qeveris apo në radhët e shumicës që ka qeverisur, atëherë këtu është për t’u habitur me habinë e kujtdo qoftë, por unë personalisht ndjehem absolutisht i qetë, i qartë dhe i vendosur, akoma më i vendosur, që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis”, tha Rama.
“Korrupsioni në Shqipëri është një problem, asnjëherë aq i madh sa të meritojë tamtamet e përnatshme në të gjitha llojet e frëngjive dhe në të gjitha llojet e platformave, por një problem, që pikërisht pse është real, jemi duke e përballur qoftë me reforma, qoftë me modernizimin e shërbimeve dhe me modernizimin e proceseve brenda administratës, duke shfrytëzuar teknologjinë, qoftë nëpërmjet institucioneve të reja të drejtësisë dhe patjetër, qoftë falë mbështetjes publike, që në këtë luftë kundër kësaj të keqeje është një mbështetje e gjerë”, tha Rama për “Zërin e Amerikës”.