Nga Eduard Zaloshnja
Rinumërimi, edhe sikur të bëhet i plotë për gjithë vendin, nuk e ndryshon dot faktin që votat PD-së (pa votat e PL-së dhe të diasporës) ishin sivjet pothuaj 170 mijë më pak se më 2021…
Kështu, Aleanca për Shqipërinë Madhështore (të cilës i kontribuoi këtë vit PL-ja e Metës me rreth 28 mijë vota) mori brenda vendit vetëm 482 mijë vota. Votave të këtushme për këtë aleancë iu shtuan edhe 47 mijë vota nga diaspora, duke e çuar totalin në 529 mijë vota të vlefshme. Duke zhveshur nga kjo shifër kontributin e partisë së Metës dhe të diasporës, PD-së i mbeten rreth 454 mijë vota të krahasueshme me votat e 2021-shit.
Më 2021, PD-ja (pa qenë në koalicion parazgjedhor më partinë e Metës dhe pa vota diaspore) mori plot 622 mijë vota. Pra, ajo mori pothuaj 170 mijë vota më shumë para katër vjetësh, kur nuk kishte as ndihmën e votave të partisë së Metës, dhe as ndihmën e votave nga diaspora.
Sa u përket mandateve parlamentare, me ndihmën e votave të partisë së Metës dhe të diasporës, PD-ja siguroi vetëm 50 mandate sivjet. Kurse pa ndihmën e tyre siguroi plot 59 mandate para katër vjetësh.