Rithemelimi njihet si partner politik në parlament nga socialistët

Pas dy vjetësh refuzimi, Partia Socialiste arriti një kompromis me grupin e Rithemelimit të ish-presidentit Sali Berisha dhe aleatit të tij Ilir Meta, duke lejuar ngritjen e dy komisioneve hetimore ndërsa premtohet për negociata për “ligje që kërkojnë tre të pestat”, ndërsa detajet e marrëveshjes mbeten për t’u parë në vijim.

Partnerët perëndimorë të Shqipërisë përshëndetën rikthimin në normalitet të Kuvendit të Shqipërisë me pranimin nga maxhoranca socialiste të të drejtës së opozitës për të krijuar komisione hetimore parlamentare në shkëmbim të ndërprerjes së shashkave dhe shamatës nga ana e deputetëve të Rithemelimit, të cilët patën bërë thirrje për “mosbindje civile” që kur udhëheqësi i tyre Sali Berisha u vendos në arrest shtëpie.

Marrëveshja, e cila për shumë vëzhgues duket se mbart kompromise të padeklaruara publikisht nga palët, në anën e saj të bërë publike, parashikon themelimin e dy komisioneve parlamentare hetimore nga tetë që ka kërkuar më herët opozita dhe ndërprerje të rebelimit opozitar në seancat plenare. Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e një grupi pune në kuadër të Komisionit Parlamentar të Ligjeve i cili do të diskutojë projektligje që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Lajme të tjera |  Parashikimi i horoskopit 6 shkurt, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

“Ramë dakord dhe morëm një vendim që të mandatojmë Komisionin e Ligjeve për të ngritur një platformë për të krijuar një dialog politik për ligjet që kërkojnë 3/5 dhe janë pjesë e agjendës së integrimit evropian”- tha negociatori socialist Bledi Çuçi për mediat pas mbledhjes.

”Ne rikthehemi menjëherë në normalitet që te jemi zëri i qytetarëve. Sot po tregojmë se kemi bërë atë që kemi thënë në këto 5 muaj,” deklaroi negociatori demokrat Gazmend Bardhi.

“Mirëpres vendimin e sotëm të konferencës së kryetarëve, i cili bën të mundur rifillimin e funksionimit normal të parlamentit dhe vlerësoj lidershipin dhe përgjegjësinë e treguar nga palët në arritjen e marrëveshjes,” deklaroi ambasadori i Delegacionit Evropian në Tiranë Silvio Gonzato.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë mirëpret marrëveshjen në Konferencën e Kryetarëve për rikthimin e rendit normal në parlament,” shkroi ambasada e SHBA-së në Twitter.

“E di që kompromiset politike janë të vështira dhe kërkojnë kurajë dhe vendosmëri. I lumtur që shikoj progesin e sotëm drejt rikthimit të një parlamenti funksional dhe normal,” deklaroi ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Alastair King-Smith në Tiranë.

Lajme të tjera |  250 MILION EURO investim në bujqësi, Rama batuta me bankierët: Përndryshe e keni të sigurt vendin në ferr!

Në tetor mazhoranca socialiste i rrëzoi me forcën e kartonave kërkesat e opozitës për komisione hetimore siç kishte bërë dhe për disa kërkesa të tjera gjatë dy viteve të fundit.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e pranishme në mbledhje, përshëndeti marrëveshjen mes palëve dhe tha se priste që grupi i përbashkët i punës të niste konsensusin me Amnistinë Penale.

Emrat që do të përfaqësojnë palët në grupin e punës pritet të zgjidhen nga grupet parlamentare përkatëse, por sipas gjitha gjasave ata do të jenë deputetë anëtarë të Komisionit të Ligjeve.

Palët kanë hedhur poshtë aludimet mediatike se përveç marrëveshjes së njohur, kompromisi përfshin ide më djallëzore për cënim të punës së institucioneve të reja të drejtësisë, në veçanti, SPAK, institucion që aktualisht ka marrë në pyetje apo ka nën hetim së paku gjashtë ministra dhe ish-ministra socialistë si dhe ish-kryeministrat Sali Berisha dhe Ilir Meta. (BIRN)

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us