Themeluesi i PD dhe analisti Roland Bejko deklaroi në emisionin Real Story në ABC News se pakënaqësi për procesin zgjedhor nuk kishte vetëm te Partia e Lirisë. Sipas tij, edhe brenda Partisë Demokratike ka pesë kandidatë për deputetë që po kërkojnë transparencë dhe rivlerësim të votave të tyre.
“Janë disa kandidatë që duan të numërohen votat dhe të dalë e vërteta,” u shpreh Bejko. Ai shtoi se kandidati Ilir Alimehmeti ka ngritur shqetësime mbi një qendër votimi ku, sipas pamjeve filmike të siguruara nga KQZ, janë konstatuar rreth 30 vota që, sipas tij, nuk i janë numëruar si pjesë e mbështetjes brenda koalicionit.
Bejko theksoi se ndonëse Alimehmeti nuk e ka pohuar publikisht këtë fakt, situata ngre shqetësime serioze për integritetin etik dhe moral të procesit. Ai kritikoi drejtimin aktual të PD-së, duke e lidhur problemin me lidershipin e Sali Berishës.
“Ka një problem të madh etik dhe moral me vetë drejtuesin e PD-së, Sali Berishën, i cili nga njëra anë deklaron se nuk tërhiqet nga misioni i tij, por nga ana tjetër kemi pretendime për një ‘masakër elektorale’ brenda listës së kandidatëve të tij,” tha Bejko.
Ai përmendi gjithashtu se ka komunikuar personalisht me një prej kandidatëve të pakënaqur, i cili i ka thënë se votat janë shpërndarë në mënyrë të padrejtë, duke favorizuar emra të tjerë brenda listës./abcnews.al