Ish-kryeministri italian dhe ish-presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi është kritikuar për një gjest të pahijshëm që kreu. Ai i shkuli flokët një gazetareje pas një pyetje që ajo i bëri. Siç raportohet nga ANSA dhe media të tjera lokale, incidenti ndodhi të dielën, ku 85-vjeçari Prodi u pyet nga gazetarja Lavinia Orefici për një pasazh specifik nga Manifesti Ventotene, një shtyllë themeluese e Bashkimit Evropian.
Pyetja e bërë nga Orefici, e cila është gazetare në emisionin “Quarta Repubblica” të Mediaset, u nxit nga polemika që shpërtheu javën e kaluar pasi Giorgia Meloni lexoi pjesë nga Manifesti në Parlamentin italian, ndërsa shtoi: Nëse kjo është Europa juaj, sigurisht që nuk është e imja.
MOMENTI ME VIDEO:
Kur gazetarja e pyeti Prodin nëse ishte dakord që “prona të hiqet, të kufizohet, të korrigjohet, të zgjerohet rast pas rasti dhe jo në mënyrë dogmatike”, nga Manifesti i Ventotene, Prodi u përgjigj me bezdi: Por, çfarë më pyesni mua?
Në këtë moment, politikani 85-vjeçar i ka tërhequr flokët gazetares. Por vetë Prodi u justifikua se vetëm sa i kishte vënë dorën në sup.