Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, përmes një postimi në Facebook, ka komentuar propozimin e mazhorancës për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit.
Çupi shkruan se nëse rishikimi, ndryshimet apo përmirësimet bëhen pa konsensus dhe gjithëpërfshirje, do ta shndërronin Rregulloren e Kuvendit mekanizëm arbitrar të mazhorancës.
“Procedura e përshpejtuar për shqyrtimin dhe miratimin e këtyre ndryshimeve është shenjë e qartë e arrogancës dhe arbitraritetit”,shprehet ndër të tjera deputetja.
Postimi i deputetes së PD-së, Dhurata Çupi:
Rregullorja e Kuvendit është akti që garanton bashkëjetesën demokratike të palëve të ndryshme politike në Parlament. Miratimi i saj, ashtu si edhe rishikimi, ndryshimet apo përmirësimet kërkojnë domosdoshmërisht konsensus dhe gjithëpërfshirje. E kundërta, do ta shndërronte Rregulloren në një mekanizëm arbitrar të mazhorancës për të mohuar të drejtat kushtetuese të opozitës.
Pikërisht, në frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në vitin 2004, Rregulloren e tij. Kjo Rregullore është amenduar 10 herë gjatë këtyre 19 viteve, ku konsensusi ndërmjet palëve ka dominuar në 70% të ndryshimeve. Rastet kur mazhorancat kanë përdorur forcën e kartonit për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme nuk i bëjnë nder atyre dhe as parlamentarizmit.
Ndryshimet e fundit të propozuara nga mazhoranca socialiste, përvecse pa asnjë konsultim a transparencë paraprake, synojnë që Rregullorja të shndërrohet në një mjet “disiplinimi” për deputetët e opozitës që protestojnë kundër vendimeve të mazhorancës dhe qeverisë. Procedura e përshpejtuar për shqyrtimin dhe miratimin e këtyre ndryshimeve është shenjë e qartë e arrogancës dhe arbitraritetit.
Ashtu sic evidenton Instituti i Studimeve Politike, në një qëndrim publik të datës 12 Dhjetor, ndryshimi i Rregullores pa analizë paraprake, pa proces konsultimi dhe pa konsensusin e spektrit politik dëmton rëndë parlamentarizmin dhe ka impakt negativ në demokracinë funksionale.
Për të shmangur një njollë turpi në historikun e parlamentarizmit shqiptar, deputetët e Partisë Socialiste duhet të heqin dorë menjëherë nga përpjekja për të asgjësuar opozitën në Parlament dhe të respektojnë të drejtat kushtetuese të deputetëve opozitarë.