Duke nisur nga dita e sotme, kanë hyrë në fuqi tarifat e reja për t’u pajisur me leje drejtimi. Nisur nga këto ndryshime, Shoqata e Autoshkollave në Elbasan ka dalë në protestë gjatë ditës së sotme, duke bojkotuar punën, teksa nuk janë paraqitur në testim.
Kreu i shoqatës, Alim Lulaj, e ka quajtur tinzar vendimin e qeverisë, për të rritur tarifat e patentës. Ai tha se koston do ta paguajnë qytetarët. Lulaj tha se nga sot, çdo qytetar do të paguajë 15 mijë lekë të reja më tepër që të pajiset me leje drejtimi. Ai tha se vendimi cënon autoshkollat, sepse qytetarët stepen që të pajisen me patentë, raporton TCH.
Në Elbasan operojnë rreth 33 autoshkolla dhe kanë të njëjtin shqetësim. Autoshkollat në këtë qytet kanë kundërshtuar taksimin e profesioneve të lira, duke përfshirë edhe autoshkollat. Drejtuesit kanë thënë se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, ata do të përshkallëzojnë protestën.
Javën e kaluar, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka bërë rishikim dhe indeksim për të gjitha shërbimet dhe tarifat që ofron. Në njoftimin e saj, Drejtoria ka thënë se për disa kategori ka rritje të vlefshmërisë të lejeve të drejtimit, në të njëjtën kohë edhe rritje të kostos. Edhe autoshkollat në Tiranë janë ankuar për vendimin.