Rudi Vata: Kombëtare pa ambicie, munguan “djemtë e këqij”

Mungesë lidershipi! U bëmë më të butë seç duhet me serbët! Ky është definicioni që i vendos Rudi Vata performancës së Kombëtares shqiptare pak ditë më parë. Ish-kapiteni kuqezi, në një intervistë për “Panorama Sport”, shprehet se Gjimshiti është një djalë fantastik, por një lider i heshtur.Ai mendon se Manaj nuk duhet kryqëzuar, ndërsa Silvinjo paguhet për të mbajtur presionin dhe kritikat. Vata jep një koment edhe për ndeshjen e kthimit në Serbi apo tre lojtarët kryesorë si Ramadani, Asani dhe Bajrami, që tashmë nuk po luajnë më. Rudi e mbyll duke u shprehur se një mrekulli mund ta çojë Shqipërinë në Botëror dhe gjithashtu ka një koment për të gjithë ata që e quajnë tradhtar.

Bie dakord që kësaj Kombëtareje i mungon një Rudi Vatë apo një Lorik Canë brenda në ekip, një lider?

Shumë dakord. Por, lidershipi lind, nuk bëhet. Lideri duhet të jetë pak i egër. Po të kesh idenë e Roi Kin, Gatuzo, të cilët janë futbollistë që janë ndërtuar për të futur një energji në skuadër. Ne kemi shumë djem të butë në ekip, të sjellshëm, kur duhet të kesh edhe ndonjë “djalë të keq”. Dikë që zgjon nga gjumi skuadrën, sepse futbollisti ka një veti, që shpeshherë në fushë truri mund të flejë, si puna e kalit që e zë gjumi në këmbë. Një moment humbet përqendrimi, në atë moment pësohet goli, sidomos ku lodhja vjen në minutat e fundit. Pra, është kapiteni ai që zgjon skuadrën, që i jep atë energji që ne për fat të keq na mungon.

Dikush që ka shfaqur pak shenja të një lideri, duke pasur parasysh grintën në fushë, shpirtin luftarak dhe dikë që u flet shokëve të skuadrës, u jep forcë atyre, është Qazim Laçi, ndërsa shpeshherë protagonist, ndoshta edhe jashtë fushe është bërë Daku. Si e komentoni?

Laçi është futbollist punëtor. Daku pak emocional dhe ka treguar se mund të gabojë kur merr energji të tepruar. Lideri është ai që transmeton një lloj energjie të veçantë, por në të njëjtën kohë di të ruajë edhe balancat. Ky është një brez i qetë. Gjimshti është një lider i heshtur, një djalë fantastik me vlera sportive, por i mungon një energji speciale.

Kjo energji mungonte për të marrë atë fitoren e shumëpritur me Serbinë?

Serbia erdhi për atë rezultat dhe ne nuk bëmë më shumë për të rrezikuar. Ndeshja ishte e kujdesshme. Këto përballje fitohen edhe me provokime (mind games). U bë një zhurmë e madhe dhe pastaj u duk sikur ishim në dasmë dhe u martuam me ta. Kaloi shumë paqësore. Normalisht ashtu duhet të jetë, por në momente të veçanta… Unë shoh Rejnxhërs-Sëlltik, që kanë një histori qindra vjeçare. Ndeshjet fitohen edhe me provokime situatash. Të tregosh pak edhe atë inatin sepse je në vendin tënd dhe të mundohesh që t’ia fusësh frikën.

Lajme të tjera |  Igli Tare i vendosur, gati të sjell me çdo kusht mesfushorin shqiptar te Milani

Po në Serbi, mendon se do të sillen kështu me ne dhe do të kemi një ambient të ngjashëm?

Shpresoj. Serbia ka huliganë tifozë dhe ne nuk kemi të tillë. Ata kanë nacionalistë të verbër. Ata thyejnë çdo rregull. Ne jemi ndryshe dhe kemi tifozë të vërtetë. Edhe si komb kemi pak frikë sepse kemi jetuar në diktaturë. Nuk ka askush qejf ta thyejë ligjin deri në atë masë, ndërsa serbët e bëjnë. Kanë edhe histori me ndeshjet derbi të tyre, duke treguar që janë agresivë si komb.

Jo më kot e caktuan ndeshjen kundër Shqipërisë në Beograd, në stadiumin më të madh të Serbisë…

Atë e bëjnë për të krijuar një zhurmë të madhe dhe për të futur në presion ekipin kombëtar. Është normale, lojë nervash. Në njëfarë mënyre, tifozët tanë e bënë zhurmën e tyre, ndërsa pyetja është se çfarë zhurme do të bëjnë tifozët e tyre me ne.

Po paraqitjen e dobët në ndeshjen kundër Letonisë, si e shpjegon?

E varfër. Pa motiv dhe ambicie. Sikur kishim shkuar të mbaronim shpejt e shpejt ndeshjen dhe të merrnim pushimet.

Ju keni luajtur, mos gaboj, kur keni qenë futbollist vetë, edhe atëherë keni barazuar në Riga…

Po, kam luajtur. Në kohën e Astrit Hafizit. Atëherë kemi qenë në kohën e luftës. Një vend ku tifozët nuk të vënë në presion. Një kombëtare që nuk ka bërë ndonjë progres gjatë historisë së tyre, por është e vërtetë që kemi dalë barazim edhe atëherë. Këtë radhë, nëse ata do të shënonin penalltinë, mund të shkonte ndryshe ndeshja.

Skuadra ishte pak “flat”, nuk kishte atë lloj energjie për fitore. Nuk kishte një lloj mobilizimi deri në atë gradë që të mendojë se kjo ndeshje duhet dominuar dhe fituar. Por, disa motorë nuk u ndezën në atë ndeshje. Me këto skuadra duhet të jesh i uritur. Po mos jesh i uritur, futbolli të kthehet kundër.

Si ju dukën zgjedhjet e Silvinjos, mos ndoshta duhet të kishim një ekip edhe më të freskët?

Por, edhe freskia ka të bëjë me mënyrën si t’i e përgatit ndeshjen. Për të arritur në nivele të larta, ku futbollistët po shkojnë pa pushim dhe do të luajnë në Botërorin e Klubeve, duhet të përballosh njëherë këto situata. Futbolli është lojë fizike, por është një nga zanatet më të vështirë që ekziston. Presioni psikologjik që kanë kaluar kuqezinjtë para, gjatë dhe pas ndeshjes me Serbinë, nuk është e lehtë ta përballosh sepse është përgjegjësi e madhe.

Po thoni që këtë gjë e kanë vuajtur në Letoni?

Normalisht, sepse presioni të lodh, të shteron energjitë. Edhe ata kanë arritur në atë pikë që vetëm mos gabojnë. Unë shoh që kanë kryqëzuar Manajn, e quajnë edhe armik, sepse humbi penalltinë. Kjo nuk është e drejtë. Unë kam lexuar histori të Roberto Baxhos kur humbi penalltinë në Botëror, që thoshte se kishte kaluar një tmerr me veten e tij dhe në ëndërr nuk më është ndarë. Ti jeton me atë dhimbje.

Lajme të tjera |  Sulmi i sjell 30 mijë euro Partizanit, të kuqtë mbushin arkat

Silvinjo ka marrë kritika edhe sepse ka caktuar që penalltinë ta gjuajë Manaj, ndërkohë që Asllani ishte aty dhe ka pasur një saktësi të pashoqe tek Interi, a janë me vend këto kritika?

Këto janë momente që ti gabon ose jo. Por, jo për t’u kryqëzuar. Dakord që Asllani ka kualitetet e një lojtari më të qetë, ka qenë më efikas në penallti. Përderisa ia ka caktuar trajneri, ai merr përsipër edhe të gabojë. Sigurisht që ai po kritikohet, me meritë, ashtu siç është lavdëruar. Por, kjo është puna e trajnerit, ka presion. Shqipëria është një vend që ka presion, kërkon rezultat shpejt. Të bëhemi edhe kampionë të Europës. Problemi është se çdo gjë kërkon kohën e vet. Silvinjo paguhet për të mbajtur presionin dhe besoj që po e mban.

Si mendoni se do të shkojë fati ynë në këtë grup?

Nuk e di sesi do të vijojnë situatat, sepse e ardhmja nuk është se kemi perspektivën që të shkojmë në Botëror. Unë e shoh që po ndodhi ndonjë mrekulli, mund të shkojmë aty. Gjithsesi, grupi duhet të menaxhohet mirë dhe të krijohet një atmosferë tjetër sepse energjia e grupit nuk është e njëjta me energjinë që kishte në fillim kur ka ardhur Silvinjo. Futbollistët kryesorë si Bajrami, Ramadani, Asani janë lojtarë të rëndësishëm dhe të cilët nuk po marrin minuta.

Besoni se diçka është thyer në marrëdhëniet e Silvinjos me këta futbollistë?

Sigurisht që ka ndodhur diçka. Ne jemi një vend që gjithmonë na ndodhin gjëra jo të mira, sepse kemi njerëz që ndërtojnë kështu situatash. Kemi njerëz që na fusin në grindje, të na përçajnë dhe kjo shkon edhe tek ekipi kombëtar sepse kultura jonë është që mos e ndihmojmë njëri-tjetrin në situata të vështira. Më thotë vëllai im që ka njerëz që të komentojnë duke thënë: pse flet ky? Ata duhet të kuptojnë se unë jam mendimin tim, sepse Kristi më telefonon dhe ka nevojë për mendimin tim.

Ai që ka dy pare mend dhe pak edukatë e kupton. Por, jo të thuash që ky është tradhtar! Ti mund ta thuash sepse mua nuk më intereson fare, por unë kam të drejtë të jap mendimin tim për zanatin tim. Për Kombëtaren që unë kam përfaqësuar që në moshën 15-vjeçare dhe për djersën që kam derdhur dhe për atë kontribut që kam dhënë për vendin tim. Jam krenar për këtë!

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us