Rusia paralajmëron ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara

Rusia mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara nëse Uashingtoni konfiskon pasuritë e ngrira të Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfax duke cituar zëvendësministrin e Jashtëm Sergei Ryabkov.

Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të veprojnë sipas iluzionit se Rusia është e varur nga marrëdhëniet diplomatike me ta,” tha zoti Ryabkov.

Rusia i ka cilësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara si “nën pikën zero” për shkak të ndihmës ushtarake dhe financiare të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.

Zoti Ryabkov tha se ndërprerja e marrëdhënieve nuk do të fillohej nga ana e Rusisë, por se një gjë e tillë mund të nxitej nga një sërë faktorësh.

“Shkak mund të jetë konfiskimi i pasurive, përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak, shumë gjëra të tjera. Nuk do të doja të hyja në parashikime negative,” tha ai, duke shtuar se Moska ishte “gati për çdo skenar”.

Lajme të tjera |  LaCivita flet për herë të parë, a mund të udhëtojë Berisha në SHBA

Disa politikanë perëndimorë po kërkojnë me forcë që pasuritë e ngrira të Rusisë, me një vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, t’i jepen Ukrainës për ta ndihmuar në rindërtimin e ekonomisë të shkatërruar nga lufta.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të premten se çdo veprim i tillë do t’i jepte një goditje të rëndë sistemit financiar global.

Ai tha asnjë vend që konfiskonte pasuritë e Rusisë nuk do të lihej në paqe nga ana e Moskës dhe se në një skenar të tillë Rusia do të shqyrtonte se cilat pasuri perëndimore mund të konfiskonte për t’u hakmarrë.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us