Samiti në Shkup, Ndihmës Sekretari amerikan me thirrje për Rusinë: T’i japë fund shkeljeve të parimeve të OSBE-së!

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, në samitin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që po i zhvillon punimet në Shkup, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së.

“Unë shtoj zërin tim, me atë të kolegëve, të cilët i bëjnë thirrje Rusisë, që t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të kësaj organizate, por nuk jam i sigurt nëse ajo është ende e gatshme të na dëgjojë”, ka thënë O’Brien.

Ai ka theksuar se pavarësisht shteteve që janë përpjekur të bllokojnë punën e organizatës, OSBE-ja do të vazhdojë të funksionojë.

“Tani është zgjedhje e shteteve që janë përpjekur të bllokonin punën e kësaj organizate, për të parë gatishmërinë e tyre nëse do të qëndrojnë me komunitetin e civilizuar, bazuar në aktin final të Helsinkit, apo duan të vazhdojnë pengesat e tyre. OSBE-ja do të jetë mirë, prapëseprapë, por, ka rëndësi për ta të zgjedhin, nëse do të vazhdojnë të jenë me ne në këtë përpjekje”, ka deklaruar O’Brien.

Në fjalën e hapjes së punimeve, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, si mikpritës i samitit, është përqendruar në sfidat, me të cilat është përballuar OSBE-ja pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës.

Lajme të tjera |  Renditet ndër pesë shkencëtaret më të mira në Kanada, kush është shqiptarja nga Korça

“Ne kemi kryesuar vitin më të vështirë për OSBE-në, duke pasur parasysh se organizata është përballur me një sërë sfidash në dritën e agresionit të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës. Por, shpresoj që do të arrijmë t’i miratojmë vendimet për të zgjedhur kryesuesin e ri dhe katër pozicionet më të rëndësishme në OSBE, si dhe buxhetin për funksionimin e organizatës”, ka thënë Kovaçevski, teksa ka vënë theksin te takimi gjatë së mërkurës me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë, David Cameron.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo vend në mënyrën e vet dërgon mesazhe për agresionin e pajustifikuar të Rusisë kundër një shteti sovran, në Ukrainë. Disa vende e bëjnë këtë me mungesën e tyre, dhe disa me pikëpamje të shprehura qartë”, ka thënë Kovaçevski.

Lajme të tjera |  Prova e re e SPAK! Kryemadhi shpenzoi mbi 240 mijë dollarë nga karta e Adrian Shatkut

Ai ka shtuar se agresioni rus kundër Ukrainës ka vazhduar “me intensitet të lartë dhe me pasoja të rënda dhe shkatërruese duke konfirmuar padrejtësinë e saj”.

“Çdo ditë që kalon dhe çdo jetë e humbur po dëshmon ashpërsinë e agresionit dhe aktin e shkeljes flagrante të sovranitetit dhe të kartës së Kombeve të Bashkuara, parimet dhe angazhimet e OSBE-së, por para së gjithash vlerat njerëzore. Populli i Ukrainës meriton paqe dhe lufta duhet të ndërpritet. Arritja e paqes mbetet imperativ. Kjo luftë po vazhdon të rrënojë themelet e OSBE-së”, ka deklaruar Kovaçevski.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us