Dënohet kreu i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 9 muaj burg kryebashkiakun socialist, pasi nuk kishte deklaruar një dënim të marrë në moshën 17-vjeçare në Greqi. Por dënimi i është konvertuar në 150 orë punë në komunitet. Pas dënimit, do i mbetet Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) që të vlerësojë nëse Hajdari do të mbajë ende mandatin e kryebashkiakut, në të kundërt do t’u duhet të vendosin një tjetër datë zgjedhjesh lokale në Kuçovë.
Më 14 nëntor të vitit të shkuar, Komsioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të mos e cënonte mandatin e Kreshnik Hajdarit, i cili kishte fshehur një dënim në formularin e vetëdeklarimit. Ngjarja kishte ndodhur kur Hajdari ishte 17 vjeç dhe ishte dënuar për shkeljen e kufirit në Greqi. Megjithatë këtë fakt nuk e kishte përmendur në formular. Megjithatë, edhe pse i ndodhur vite më parë, ky fakt është përdorur nga kundërshtari i tij politik për t’i hequr mandatin e fituar. Gjatë asaj seance, përfaqësuesi ligjor i Hajdarit, Theodhori Sollaku arsyetoi se vepra penale ishte kryer kur kryebashkiaku ishte në moshë të mitur. E po ashtu, shtoi se nuk futej në veprat që penalizonin.
Megjithatë pala tjetër pretendoi se ligji i dekriminalizmit parashikon ndërprerjen e menjëhershme të mandatit në raste të tilla dhe nuk ka përjashtime. Po ashtu, përmendën edhe se Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”. Vendimi në KQZ u mor në favor të Hajdarit, por mesa duket kjo çështje do të rikthehet sërish për shqyrtim.