Nga Agron Gjekmarkaj
Seanca e fundit parlamentare u duk si një seancë rutinë, por mund ta kthejmë në një mundësi për reflektim për të kuptuar se çfarë i dhamë këtij vendi dhe çfarë morëm prej tij. Këto katër vite nuk ishin një legjislaturë normale. Ishin vite tensioni, përjashtimi, skandalesh, arrogancë dhe përpjekje për të asgjësuar opozitën jo vetëm si grup deputetësh, por si ide, si kujtesë, si alternativë. Ishin vite ku pushteti nuk kërkoi bashkëpunim, por zhbërje; jo dialog, por heshtje. Jo garë, por skenografi të kontrolluar. Kulmi i kësaj strategjie u pa më 11 maj, në një ngjarje që do të hyjë në histori jo si zgjedhje, por si farsë e pastër zgjedhore.
Gara u përdhos, u trukua, u deformua dhe në fund, u shndërrua në farsë. Nuk ishte më një përballje e ndershme e alternativave, por një shfaqje ku skenari ishte shkruar më parë dhe rezultati dihej pa u hapur kutitë. Votuesve iu mohua alternativa. Gjithçka e keqe buron te korrupsioni zgjedhor, te manipulimi i votës, akt që shumëfishon kulturën e manipulimit në çdo ind të jetës politike, ekonomike e shoqërore! Ajo që ndodhi ishte një akt politik i paramenduar, i cilin synon të yshtë shqiptarët të mësoheshin me idenë se nuk kanë më zgjedhje, se nuk do ketë më të tilla! Por, le ta themi qartë, përtej vështirësive të panumërta, opozita mbrojti orë e çast interesat e shqiptarëve dhe të Shqipërisë!
Opozita u përball. Me gjithë pengesat, me gjithë goditjet dhe përçarjet e imponuara, ajo nuk u tërhoq. Ajo sot është i vetmi institucion demokratik e legjitim. Partia Demokratike doli përballë qytetarëve. Ofroi ide. Ofruam një program transformues, të qartë, me vizion për ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe administratën publike. Ne nuk shkuam në zgjedhje thjesht për të fituar mandate, por për të rikthyer kuptimin e votës dhe besimin në demokraci. Ne nuk patëm ballafaqim të ndershëm, por një sistem të ndërtuar për ta shtypur çdo alternativë. Shteti dhe pushteti ishin bërë një. Administrata në shërbim të presionit elektoral! Policia në shërbim të frikës dhe intimidimit.
Kur një qeveri vendos të bëjë farsë në një vend të vogël, të kontrolluar dhe me shumë mjete presioni, ia del. Sepse ka gjithçka në dorë: institucionet, median publike, fondet, e mbi të gjitha — një sistem të ngritur mbi korrupsionin. Po, korrupsioni nuk është më përjashtim. Korrupsioni është bërë sistem qeverisës. Ai nuk ndodh në errësirë — ndodh me dritën ndezur, me arrogancën e dikujt që nuk pyet më as për qytetarët, as për ligjin, as për moralin. Por pushteti projektoi herët goditjet ndaj opozitës! Proceset politike ndaj Sali Berishës janë shprehja më e pastër e një lufte politike të ulët, që nuk synon drejtësi, por eliminim. Sepse kur një regjim ka frikë nga kujtesa, nga rrënjët e pluralizmit, nga zërat që kanë hyrë në histori, atëherë ai fillon të godasë jo për drejtësi, por për harresë.
Ai godet një histori për të ndërtuar një kult! Nuk do t’ia dilni! Unë flas sot jo për një njeri të vetëm, por për një parim të madh demokratik: Nuk mund të ndëshkosh politikisht atë që përfaqëson një epokë të rëndësishme të këtij vendi, vetëm sepse nuk ta fal historinë. Po kjo ka qenë një legjislaturë e tensionuar dhe regresive. Një rregullore tiranike u miratua në një ditë turpi për të pezulluar mandatet opozitare. Por ne nuk jemi thyer. Nuk jemi bërë pjesë e fasadës. Nuk jemi shitur. Nuk jemi përkulur. Dhe mos u gëzoni, se nuk do të dorëzohemi. Në fund, nuk do të gjykohemi për çfarë kemi thënë në këtë sallë, por për çfarë kemi guxuar të mos pranojmë. Dhe le të jemi të sinqertë: Edi Rama mund të mburret me katër mandate, por a mund të mburret dot për regresin që ka sjellë? Për kapjen e shtetit, për përdhosjen e institucioneve, për përjashtimin e opozitës, për bllokimin e historisë, për atentatin ndaj pluralizmit? Koha është më e gjatë se pushteti dhe më e drejtë se çdo makineri që sot mund të duket e pathyeshme.
Ajo kthehet si gjykatëse, kthen kurajën shoqërore, janë cikle të njohura. Historia, mësuese e jetës! Por në gjithë këtë sfidë kishte një dritë që nuk mund ta lë në heshtje: Fitorja e Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës. Një fitore që ishte më shumë se numra. Ishte dëshmi. Dëshmi se qytetarët e asaj zone dinë të ndërtojnë shembull, siç kanë bërë ndër shekuj! Kam pasur nderin të jem drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës. Ishte një përballje e vështirë, por e fituar me qëndresë, moral dhe ide. I falënderoj nga zemra qytetarët e Lezhës, të Mirditës dhe të Kurbinit që më besuan. Faleminderit për qëndresën, megjithëse duhej të ishte fushatë elektorale e ditë votimesh, na detyruan të bëjmë qëndresë, faleminderit për mbështetjen, për durimin, për kurajën dhe për shpresën! Unë do të jem në këtë Parlament si një prej tyre, si më i zakonti, një gojë që flet për ta! Sot jemi në stinën e verës dhe Lezha me Shëngjinin, që duhej të ishin stoli e turizmit tonë, janë totalisht të bllokuara nga një trafik i çmendur – pasojë e mungesës së investimeve serioze në infrastrukturë.
Rruga Milot-Balldre është marrë peng! Për një qark që jep shumë, merr shumë pak në kthim. Një popull që meriton dinjitet dhe zhvillim, ndeshet me neglizhencë dhe përçmim. Këtë realitet do ta bëj të dëgjohet. Në çdo seancë. Në çdo komision. Në çdo mikrofon. Sepse kjo është detyra ime dhe ky është borxhi që ju kam ju, qytetarëve që na besuat! Partia Demokratike është ëndrra e dhjetorit 1900, liri dhe pluralizëm, zgjedhje të lira dhe Shqipëria si gjithë Europa janë misioni ynë! Nuk e tradhtojmë këtë mision, nuk e shuajmë këtë pishtar, nuk e fikim këtë ëndërr! Sy për sy e dhëmb për dhëmb! Faleminderit! Le ta mbyllim këtë legjislaturë me kokën lart, sepse ne nuk heshtëm. Nuk u përkulëm. Dhe nuk do të dorëzohemi. Zoti e bekoftë Shqipërinë!/Gazeta Panorama