Sot është mbajtur seanca gjyqësore e radhës lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, ku i akuzuar është bashkëshorti Naim Murseli.
Prokurorja Javorka Perlinçeviç deklaroi nga Gjykata Themelore e Prishtinës se “Naim Murseli urdhëroi vrasjen pasi Liridonës përfitonte 260 mijë euro nga sigurimi jetësor në Suedi”.
Si provë materiale nga ana e Prokurorisë është propozuar edhe raporti që e kanë pranuar sipas kërkesës së tyre nga organet e Suedisë, e që kanë vërtetuar se në emër të tani të ndjerës, në vitin 2022 është paguar polica e sigurimit jetësor në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze- në kundërvlerë 260 mijë euro.
Avokatja e të akuzuarit, Teuta Zhinopotoku deklaroi se mbrojtja ka kërkuar që i pandehuri Naim Murseli të dërgohet për ekzaminim mendor, por deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje zyrtare nga gjykata.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.
I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.