Serbia ka lënë të nënkuptuar se po mendon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke rritur tensionet në rajon. Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në reagimin e tij në lidhje me kërkesën e Beogradit iu ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që ta refuzojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
‘Paralajmërimet për shërbim të detyrueshëm ushtarak në Serbi, edhe pse lëvizje strategjike marketingu nga Presidenti Aleksandër Vuçiç është i papranueshëm dhe duhet të refuzohet nga shqiptarët e Luginës së Preshevës. Serbia, sot nuk është e kërcënuar nga asnjë prej vendeve fqinje, madje përkundrazi, rasti i 24 shtatorit vitit të kaluar në Banjskë ka treguar për cenimin e integritetit të vendeve fqinje dhe kush synon agresorin. Rajoni ka nevojë për paqe dhe progres, ndryshe vendimet e këtilla luftënxitëse vetëm sa na rikthejnë në vitet e 90-ta”, -shkroi Kamberi në Facebook.
Iniciativa është nisur nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe propozimi i është dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 4 janar. Në shpjegimin e saj, Ushtria serbe deklaroi se propozimi vjen “pas një shqyrtimi të hollësishëm të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral”.