Nga Federico Rampini “Corriere della Sera”
Në historinë e njerëzimit, asgjë nuk është e përjetshme. Edhe aleancat e lidhura midis kombeve, që në periudhën e shkurtër të përvojës sonë na duken të pavdekshme, e kanë një datë skadence. A do ta njoftojë Amerika daljen e saj nga NATO pas një viti? Këtë pyetje evropianët duhet t’ia shtrojnë vetes që tani.
Në sondazhet e fundit, Donald Trump rezulton të jetë përpara Joe Biden në sfidën e drejtpërdrejtë midis të dyve. Ndërkohë brenda Partisë Republikane, kur ka mbetur vetëm 1 muaj nga fillimi i garës brenda-partiake, hendeku midis tij dhe ndjekësve (Nikki Haley dhe Ron DeSantis) mbetet i madh.
Gjatë muajve të ardhshëm mund të ndodhë çdo gjë, dhe padyshim edhe në fushën e gjyqësorit. Megjithatë, edhe ata që vazhdojnë ta konsiderojnë të pamundur një mandat të dytë të Turmp, janë të detyruar ta shqyrtojnë atë si një hipotezë. Dhe kjo është ajo që po bëjnë qeveritë në mbarë botën, secila nga këndvështrimi i pasojave për vendin e tyre.
Një rizgjedhje e Trump në krye të SHBA-së do të ishte një “mjellmë e zezë” – një ngjarje statistikisht shumë e pamundur dhe me pasoja tronditëse nëse do të ndodhte – por në këtë epokë, në vend se të jenë kafshë të rralla, “mjellmat e zeza” e kanë zakon të popullojnë botën tonë (nga 11 shtatori 2001 i Osama Bin Ladenit, deri 7 tetorit i 2023 i Hamasit, duke kaluar përmes krizës financiare të vitit 2008, Brexit dhe presidencës së parë të Trump në vitin 2016, pandemisë së Covid-19, Lufta në Ukrainë).
Në Evropë, një çështje shumë shqetësuese ka të bëjë me të ardhmen e NATO-s. Të gjithë flasin për këtë, ndoshta në heshtje, dhe jo në nivel zyrtar. Aleanca ka garantuar paqen dhe sigurinë e evropianëve për treçerek shekulli. Ajo nuk do të ekzistonte dot pa Shtetet e Bashkuara, ose do të shndërrohej në një karikaturë të saj.
A mund t’i mbijetonte NATO largimit të SHBA-së? Donald Trump e përmendi disa herë këtë skenar gjatë presidencës së tij të parë, sidomos në bisedat me bashkëpunëtorët e tij. Në atë kohë ata arritën ta frenojnë. Por a do të kenë sukses për herë të dytë?
Në fakt, një mandat i dytë i Trump premton të jetë më radikal dhe më i vendosur, duke filluar me zgjedhjen e bashkëpunëtorëve dhe këshilltarëve. Ai është i bindur se veprimtaria e qeverisë së tij që nga janari i 2017-ës deri në dhjetorin e 2020-ës u sabotua nga Deep State, një lloj qeverie paralele e përbërë nga burokratë të nivelit të lartë dhe teknokratë, e cila e urren ndryshimin, dhe përbëhet kryesisht nga demokratë dhe republikanë të moderuar.
Kjo sipas tij ka ndodhur me ndihmën e gjyqësorit, që gjithashtu është në shumë armiqësor ndaj programeve trumpiane. Nga politika e jashtme tek ajo e migracionit, Deep State imponoi më shumë vazhdimësi. Ndaj nëse rizgjidhet këtë herë, Trump do të synojë të kryejë një spastrim radikal, duke emëruar kudo besnikët e tij. Në politikën e jashtme, dalja nga NATO do të shënonte një ndarje të bujshme me 75 vitet e fundit të historisë. Ky akt do t’i jepte fund politikës globaliste, të inauguruar dikur nga Franklin Roosevelt, kur ai e udhëhoqi Amerikën drejt ndërhyrjes në Luftën e Dytë Botërore për ta çrrënjosur nazi-fashizmin nga Evropa.
Po ashtu, do të ishte një rikthim tek një politikë që ka pasur në fakt një traditë të gjatë dhe paraardhës shumë fisnikë:izolacionizmi, ishte dominues për një kohë të gjatë që nga themelimi i Shteteve të Bashkuara e tjutje, me përjashtime si presidenca e Ruzveltit plak (Theodore) dhe Ëoodroë Ëilson në Luftën e Parë Botërore.
Megjithatë rrënjët e izolacionizmit amerikan janë të thella, dhe ato kanë avokatë si në të djathtë ashtu edhe në të majtën pacifiste. Ndaj mund të ketë ndërprerje të plotë të ndihmës për Ukrainën. Nga braktisja do të shpëtonin ndoshta Izraeli dhe Tajvani, mbi të cilat Trump ka pasur ndonjëherë një qëndrim të fortë mbështetës.
Ka kaluar shumë kohë që kur presidentët e SHBA-së dhe Kongresi, kanë bërë thirrje për një “ndarje më të ekuilibruar të barrës” së financimit të NATO-s me aleatët evropianë. Këta të fundit janë kritikuar se sillen si parazitë, dhe janë të lumtur që jetojnë të sigurt nën “ombrellën mbrojtëse” amerikane.
Por nga ana tjetër ngurrojnë të financojnë si duhet ushtritë e tyre. Gjatë presidencës së Barack Obamës, kjo çështje u bë një angazhim zyrtar i Uashingtonit. Në atë kohë, të gjitha shtetet anëtare të aleancës, premtuan solemnisht se do të harxhonin për forcat e tyre të armatosura të paktën 2 për qind të PBB-së. Por gati askush nuk e ka mbajtur këtë premtim. Madje Gjermania, Italia dhe shumë vende të tjera anëtare, nuk e mbajtën atë as pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ndaj shumë amerikanë, dhe jo vetëm në nivelet e larta drejtuese, por edhe në opinionin publik, ndihen si të shfrytëzuar.
Aq më tepër kur disa nga vende që jetojnë të sigurta në kurriz të SHBA-së, janë gati të kritikojnë “imperializmin amerikan”. Trump është vetëm një nga presidentët e shumtë amerikanë që e kanë konsideruar të patolerueshme këtë gjendje.
Kur ishte në Shtëpinë e Bardhë, ai sulmoi e sulmoi disa herë Angela Merkel për këtë çështje:Gjermania ka ekonominë më të pasur në Evropë, por ushtria e saj është tejet modeste.
Por tani Trump nuk e kufizon veten në rinisjen e debatit mbi “ndarjes e barrës”, por shkon një hap më tej. Fjala e re kyçe është “ndërrimi i barrës”:pra nga ndarja e barrës, të kalohet tek transferimi i saj. Sipas këtij plani, Amerika do të largohet nga Kontinenti i Vjetër dhe kostoja e mbrojtjes do t’u kalojë evropianëve. Trump është i bindur se Shtetet e Bashkuara nuk kanë interesa jetike reale në Evropë, për t’i mbrojtur me një prani ushtarake të kushtueshme dhe të madhe. Kjo pikëpamje është e kontestueshme, dhe ka argumente të forta për të kundërtën. Sepse janë të dukshme interesat materiale në marrëdhëniet transatlantike, dhe ato do të jenë një kundra-pedal i fortë ndaj zgjedhjes për ta braktisur Evropën në fatin e saj. Trump nuk është një mendimtar në asnjë fushë, dhe aq më pak në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Por ai mendon instinktivisht se izolacionizmi është zgjedhja e duhur, me të cilën janë dakord shumica e votuesve të tij. Ndaj ka vendosur që “herën tjetër” ta rrethojë veten me njerëz që mendojnë vërtet si ai. Prandaj duhet të nisim t’i kushtojmë vëmendje mjediseve në të cilat ai do të gjejë bashkëpunëtorët, këshilltarët, ministrat e tij etj.
Një studim i fundit i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, ka identifikuar 3 grupime që po garojnë për vëmendjen e Trump, dhe që gjatë 11 muajve të ardhshëm mund të konkurrojnë për emërimet e tij në postet kyçe në administratën e ardhshme. Në grupimin e parë bëjnë pjesë mbështetës të “primatit” të SHBA në botën. Këtu gjejmë trashëgimtarët e lëvizjes neo-konservatore, dhe “skifterët” e të djathtës republikane që frymëzuan politikën e jashtme “perandorake” në kohën e George Ë.Bush (2001-2008). Ata duan që Amerika të vazhdojë të mbrojë lidershipin e saj global, pavarësisht kostove.
Ata mendojnë se braktisja e fushës së betejës përballë Kinës në Azi, Rusisë në Evropë dhe Iranit në Gjirin Persik, do të ishte një gabim strategjik që në fund do të dobësonte interesat jetike të SHBA-së. Në grupimin e dytë përfshihen shumica e republikanëve si elektorat, dhe që janë në favor të “përmbajtjes”:ndërmjetësimit dhe reduktimit vullnetar të pranisë ushtarake amerikane në botë.
Ndërkohë grupimi i tretë ofron një rrugë kompromisi:Amerika duhet të kufizojë angazhimet e saj në botë për t’u përqendruar tek disa prioritete që ndikojnë vërtet tek interesat e saj strategjike. Një prej tyre mund të jetë Kina. Disa kërkojnë ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, për shkak të migracionit të paligjshëm dhe trafikut të madh të narkotikëve. Cili do të jetë plani B, duke supozuar se një presidencë e dytë Trump nuk do të jetë në gjendje ose s’do të bëjë një ndryshim kaq të menjëhershëm dhe brutal, si largimi i papritur nga NATO? Një alternativë, mbi të cilën po diskutojnë disa ekspertë republikanë, është skenari i “NATO-s së fjetur”.
Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara do të kthejnë në shtëpi shumicën ose gjithë personelin ushtarak të stacionuar në Evropë, dhe do t’ia transferojnë aleatëve një pjesë të madhe të barrës dhe përgjegjësive për mbrojtjen. Aleanca Atlantike do të mbetej në fuqi, si një pakt i shkruar në letër, por jo e konkretizuar nga prania e bazave ushtarake dhe e dhjetëra mijëra ushtarëve amerikanë në Evropë.
Në atmosferën e “pacifizmit” të supozuar që po dominon sot Evropën, a do ta shtynte trauma e një gjysmë-braktisjeje nga Shtetet e Bashkuara drejt një heroizmi si ai i Anglisë të vitit 1940, apo do të jetë fillimi i skemës “falas për të gjithë”, dhe një nxitimi për ta ripohuar veten si vasalë në shërbim të Putin dhe Xi Jinping?
Një shembull të asaj që mund të ndodhë sapo e ka dhënë Emmanuel Macron:ai i dërgoi fjalë Putinit për ta kontaktuar, sepse “numri i telefonit të Elysée është gjithmonë i njëjti”.
Marrë me shkurtime