NATO- Në një deklaratë tronditëse, kreu i NATO-s dhe ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka paralajmëruar për mundësinë e një konflikti global shkatërrues nëse Kina dhe Rusia ndërmarrin një sulm të koordinuar ndaj Tajvanit dhe territorit të NATO-s.
“Nëse Xi Jinping do të sulmonte Tajvanin, ai më parë do të telefononte partnerin e tij më të vogël, Vladimir Putin, dhe do t’i thoshte: ‘Hej, unë do ta bëj këtë, ndaj më duhet që ti t’i mbash të zënë në Evropë duke sulmuar NATO-n’,” deklaroi Rutte për New York Times.
Sipas tij, skenari më i frikshëm do të ishte një ofensivë: Kina në Paqësor, Rusia në Evropë. Kjo do ta fuste botën në një përplasje masive, potencialisht Luftën e Tretë Botërore.
Rutte theksoi gjithashtu se Rusia po rrit fuqinë e saj ushtarake me ndihmën e Koresë së Veriut, Iranit dhe Kinës, duke prodhuar më shumë municione se e gjithë NATO-ja e bashkuar.
“Ata po prodhojnë tre herë më shumë municione në tre muaj se sa NATO në një vit. Kjo është e paqëndrueshme,” tha ai.
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, reagoi me sarkazëm, duke shkruar në X: “Rutte duket se ka konsumuar shumë nga kërpudhat magjike të dashura në Holandë. Por ka të drejtë për një gjë: duhet të mësojë rusisht – mund t’i hyjë në punë në një kamp siberian.”
Paralajmërimi i Rutte vjen në një kohë tensionesh të larta, teksa Rusia vazhdon agresionin në Ukrainë dhe frika për shtetet baltike, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë sa vjen e rritet.
“Duhet të forcojmë menjëherë bashkëpunimin me partnerët tanë në Indo-Paqësor dhe të rrisim kapacitetet tona ushtarake. Vetëm një NATO e fortë mund të frenojë një agresion të tillë,” përfundoi ai.