Një konflikt mes dy personave në fshatin Ungrej të Lezhës ka përfunduar me plagosjen me sende të forta të një të moshuari. I plagosur ka mbetur shtetasi Kolë Ndreca. Ai ka shkuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës. I moshuari, që ka marrë plagë në kokë, ka treguar gjithçka që ka ndodhur.
“Me këtë fshatarin ka disa vite që kemi hatërmbetje me njëri-tjetrin. Më ka hyrë në tokën e babës. Fajin e ka vëllai im. Ai futi dhitë në tokën e babës. Unë i thirra dhe më qëlloi me lopatë. U përleshëm tek për tek e nuk kishte çfarë të bënte. Më pas mori djalin e vet dhe më dolën para. Në konflikt u fut dhe djali i tij. E kapa djalin e ai më qëlloi me lopatë”, thotë ai.
Ndërsa babë e bir janë ndaluar nga policia, Kola bën thirrje që autoritetet të marrin masa, që konflikti të mos degradojë. “Shteti të marrë masa ose ata ose unë. Nëse nuk merret dot shteti të ma lënë mua”, shprehet ai më tej. Në lidhje me rastin, Policia e Lezhës ka shoqëruar në komisariat babë e bir, ndërsa po heton konfliktin e vjetër, i cili dyshohet se ka ndodhur për pronat.
Policia e Lezhës: Arrestuam 56-vjeçarin dhunues, proceduam djalin e tij
Policia në Lezhë, me anë të një lajmërimi, ka njoftuar se në lidhje me konfliktin me sende të forta në Ungrej të Lezhës, kanë arrestuar një 56-vjeçar dhe kanë proceduar penalisht djalin e tij. Babë e bir, Lek Prenga dhe Zef Prenga dyshohet se kanë dhunuar me sende të forta (lopatë) shtetasin Kolë Ndreca.