Shifrat/ Barcelona, për të thyer një tabu në “San Siro”

Barcelona dhe trajneri i saj Hansi Flik kanë një sfidë të dyfishtë sonte në mbrëmje në Milano.Trajneri gjerman do të kërkojë ta çojë ekipin e tij në finalen e Ligës së Kampioneve në Mynih më 31 maj. Skuadra e Flik do të përballet kundër Interit në Milano pas barazimit 3-3 një javë më parë në Spanjë. Barça ka dhe një rival tjetër, historinë jo fort të këndshme të kohëve të fundit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Nga katër ndeshjet e tyre të fundit jashtë fushe në fazën gjysmëfinale, Barça i ka humbur të katërta.

Më e fundit dhe një nga kujtimet më të pafata për blaugranat, ishte në sezonin 2018-2019, kur, pasi mposhtën Liverpulin 3-0 në “Camp Nou”, ata mbetën jashtë finales, sepse u mundën 4-0 në “Anfield”. Ekipi i drejtuar asokohe nga Ernesto Valverde e shpërdoroi avantazhin e ndeshjes së parë falë golave të Luis Suarezit dhe Mesit (2). Kujtimi më i mirë është ai i sezonit 2014-2015. Në ndeshjen e parë në Spanjë, Barça e Luis Enrikes mundi Bajernin e Mynihut të Pep Guardiolës (3-0), falë një dopiete nga Mesi dhe një goli nga Nejmar. Në ndeshjen e kthimit, pavarësisht humbjes 3-2 në Mynih – me dy gola të Nejmar – Barça u kualifikua për në finale, të cilën e fitoi në Berlin kundër Juventusit (3-1). Gjysmëfinalja tjetër ishte ajo në sezonin 2012-13.

Lajme të tjera |  STATISTIKAT/ Interi dërrmues në “San Siro”, Barcelona është “makineri” golash

Bajerni e shpartalloi Barcelonën me dy fitore 4-0 në Mynih dhe 3-0 në Barcelonë. Gjysmëfinalja e fundit në të cilën Barça humbi ndeshjen jashtë fushe, ishte në sezonin 2011- 12 kundër Çelsit. Në ndeshjen e parë, të luajtur në “Stamford Bridge”, katalanasit humbën 1-0 ndaj ekipit të Di Mateos. Në ndeshjen e kthimit ata barazuan 2-2 me një gol vendimtar nga Fernando Torres për londinezët, që shkuan në finale.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us