Prokuroria e Fierit ka regjistruar procedim penal për vepren penale “shkatërrim i pronës me zjarr”, ndërsa po heton për shkaqet e rënies së zjarrit që dogji dhjetra biznese në katine tretë dhe të katërt të një qendre tregtare në qendër të Lushnjes.
“Hetimet po kryhen në bashkëpunim të plotë me shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit. Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare”, bën me dije prokuroria.
Ditën e sotme është raportuar se qendra tregtare “Metropol” kishte mangësi në sistemin e alarmit për zjarrin si dhe për numrin e vogël të fikëseve të zjarrit që ndodheshin brenda ambienteve.
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit:
Zjarri në Qendrën tregtare ‘Metropol Center’, Prokuroria Fier regjistron procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi pronës me zjarr”
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier informon publikun se për ngjarjen e ndodhur në qendrën tregëtare “Metropol Center”, lagjia“Çlirimi”, Lushnjë, ka regjistruarprocedimin penal nr. 1846/2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.
Prokurorja e gatshme ka shkuar menjëherë në vendngjarje ku dhe janë kryer veprimet e para hetimore.
Është ngritur grupi hetimor i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme dhe grup oficerësh të policisë gjyqësore nën drejtimin e Prokurores. Hetimet po kryhen në bashkëpunim të plotë me shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit. Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare.
Prokuroria Fier është plotësisht e angazhuar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje me pasoja të konsiderueshme për pronën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve.