Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dorëzoi në Gjykatën e Posaçme këtë të enjte një dokument të Policisë Ushtarake për shkeljet që janë gjetur në repartin ushtarak të Gërdecit.
Dokumenti konfidencial mban datën 13 qershor 2007, 10 muaj para se të ndodhte tragjedia. Ai është pjesë e punës periodike të Policisë Ushtarake në raportimin e veprimtarive kriminale në radhët e Forcave të Armatosura.
Raporti që i ka mbërritur Fatmir Mediut, në atë kohë ministër i Mbrojtjes është për muajin maj 2007. Në të thuhet se më 28 prill 2007, Policia Ushtarake ka konstatuar një subjekt privat duke kryer punime brenda territorit të repartit të Gërdecit.
Mediu thotë se kjo është e vetmja shkresë që ka marrë për Gërdecin gjatë kohës që ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe menjëherë pas kësaj ka kërkuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ndjekje administrative dhe penale për personelin e FA që lejuan kompaninë private të ndërtojë brenda repartit.
Ndërkohë, në përfundim të seancës së kësaj të enjtjeje, avokati i Fatmir Mediut deklaroi se deklaratat e dëshmitarëve në këtë proces kanë provuar se ish-ministri i Mbrojtjes nuk ka përgjegjësi mbi tragjedinë e 15 marsit 2008.