Ėndrra historike e Oli Glaznerit me Kristal Palasin u përmbush. Përmes lotëve të mijra tifozëve, skuadra fitoi trofeun e parë në historinë e vetë dhe jo pak, por një kupë që në Angli çmohet lart, FA-në.
“Nuk flitet për vezën para se ta bëjë pula”, thoshte Glazneri përpara finales.
Nën drejtimin e tij, Palasi ka lën pas krahëve një fillim të vështirë sezoni dhe është shndërruar në një nga skuadrat më të forta të Premier Ligës, që prej tetorit. Austriaku e mori drejtimin në shkurt 2024, prej atëherë ia ka dalë të rikthejë besimin dhe identitetin taktik te skuadra.
Me ardhjen e tij vendosi një formacion 3-4-2-1, që i përshtatet talenteve në sulm. Me këtë ndryshim arriti një mesatare prej 1.49 pikësh për ndeshje, praktikisht rekordin më gë mirë në historinë e klubit në Premier Ligë.
Nuk u ndal vetëm me një rekord të parëndësishëm të pikëve për ndeshje, por solli edhe trofeun e parë. Pavarësisht mungesës së përvojës në një klub të madh anglez, Glazner vjen me bagazh suksesi në Evropë, përfshirë fitoren e Europa Ligës me Eintrahtin e Frankfurtit.
Personaliteti i tij pozitiv është formuar edhe nga sfidat personale: në 2011 pësoi një hemorragji cerebrale që i ndërpreu karrierën si lojtar, por që nuk ia ndryshoi qasjen ndaj jetës, gjithmonë pozitiv dhe i përkushtuar.
Pakkush e di se Glazneri, gjatë viteve 2007-2009, pak përpara se ta mbyllte me futbollin e luajtur, ishte shok skuadre te Riedi me bomberin shkodran të Vllaznisë dhe të kombëtares, Hamdi Salihin.