Ministri i Financave Ervin Mete ka deklaruar ditën e sotme se punonjësit e administratës shtetërore që morën pjesë në procesin e negociatave për antarësim në BE do të shpërblehen me një rrogë shtesë. Në një deklaratë për mediat, Mete ka theksuar se gjithashtu do tu akordohen 5 mijë lekë familjeve që janë në nevojë, 44 mijë përfitues të pensioneve familjare, 73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë së kufizuar si dhe 68 mijë invalidë të punës. Në total Mete ka theksuar se me këtë akt normativ do të shpërndahen rreth 20 miliardë lekë.
“Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Aktin Normativ për disa ndryshime të Buxhetit të vitit 2023, me synim kryesor plotësimin e paketës së solidaritetit, pas dy bonuseve të akorduara për pensionistët, plotësimin e kësaj pakete dhe për një sërë shtresash në nevojë. Paketa përfshin bonuse sociale në të njëjtën masë të shpërblimit që sapo iu akordua pensionistëve për:
64 mijë përfitues të ndihmës ekonomike;
73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë së kufizuar;
36 mijë familje me fëmijë në ndihmë ekonomike;
68 mijë invalidë të punës;
44 mijë përfitues të pensioneve familjare.
Gjithashtu, parashikohet një shpërblim për 1144 punonjës të administratës shtetërore, përfaqësues në takimet bilaterale të zhvilluara në kuadër të procesit të negociatave për antarësim në BE, edhe për shkak të rezultateve të lavdërueshme dhe të vlerësimeve të larta që kanëmarrë edhe nga Komisioni Evropian. Gjithashtu, ka një mbështetje për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor në një vlerë totale prej rreth 800 milionë lekë. Ka një mbështetje për të gjitha bashkitë, si një shtesë granti të pakushtëzuar për të adresuar detyrimet e prapambetura. Shtesa totale për të gjitha bashkitë sipas listës së parcaktuar shkon në 2 miliardë lekë. Gjithashtu, ka rialokime sa i përket shpenzimeve kapitale për financimin e projekteve infrastrukturore, në rrugë e ujësjellësa, duke i dhënë një tjetër shtysë investimeve publike. Në total rialokimet që shpërndahen me këtë akt normativ janë rreth 20 miliardë lekë, ndërkohë që mbetet i pandryshuar niveli i planifikuar i të ardhurave, si edhe projeksionet për borxhin publik”, tha Mete.