Shpërthen debati në Maqedoninë e Veriut për rënien e popullsisë, Mickoski paralajmëron taksa për beqarët

Në Maqedoninë e Veriut ka shpërthyer një debat i fortë publik pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili propozoi një masë të pazakontë për të frenuar rënien demografike: vendosjen e taksave shtesë për beqarët.

Duke folur për krizën demografike në rritje, Mickoski tha se “po shqyrtohen të gjitha opsionet”, përfshirë edhe një skemë të mundshme penalizuese për beqarët, për t’i nxitur qytetarët të krijojnë familje.

Sipas tij, norma e lindjeve ka rënë ndjeshëm në vitin 2024, ndërkohë që vendi ka humbur mbi 33 mijë banorë në katër vitet e fundit si rezultat i rënies natyrore të popullsisë.

Kryeministri e përshkroi këtë nismë si pjesë të një “lufte shtetformuese” për të ndalur shpopullimin dhe për të forcuar familjen si bërthamë sociale. Megjithatë, propozimi është pritur me reagime të përziera, ku shumë qytetarë, aktivistë dhe ekspertë e kanë cilësuar idenë si diskriminuese dhe që cenon jetën private.

Nga ana tjetër, disa e shohin këtë si një sinjal alarmi, që tregon se kriza demografike në vend është bërë tashmë një emergjencë kombëtare.

Lajme të tjera |  Ish-ministri sfidon Ramën për "tokën e xanun": Ka 5 vite që trotuari zaptohet nga privati që ka lidhje me një deputet të PD-së (FOTOT)

Diskutimet pritet të thellohen në ditët në vijim, teksa qeveria do të detajojë masat konkrete që synojnë përmbysjen e tendencave negative të popullsisë. Ndërkohë, çështja e “taksës për beqarët” mbetet në qendër të vëmendjes dhe polemikave politike në Shkup.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us