Sali Berisha foli sot për ultimatumin e kryeministrit Edi Rama ndaj drejtorëve të Bashkisë Vlorë, duke e quajtur ndërhyrje në kompetencat e qeverisjes vendore dhe një shkelje të rëndë.
Por ai shtoi se drejtorët po bëheshin “koka turku” për të mbuluar atë që ndodhte në të vërtetë në Vlorë, mbushjen e bregdetit me ujëra të zeza dhe djegien e tonelatave me mbetje nga fusha e plehrave, duke helmuar me tym kancerogjen qytetarët vlonjatë.
Madje e njëjta situatë sipas tij ishte edhe në Elbasan, që e cilësoi si krimin më të rëndë në memorien e tij, që kishte edhe mbrojtjen e kreut të SPAK, Altin Dumani, të cilin e quajti Altin Troplini.
I pyetur nga gazetarët për takimin e Ramës në Vlorë ai tha:
“Qëndrimet e Ramës janë dëshmi flagrante të asaj që kemi denoncuar ne dhe bota, të partisë shtet në Shqipëri. Vetëm në një parti shtet ndodh që të asgjesohen kompetencat e qeverisë vendore. Kushtetuta e vendit dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ka firmosur Shqipëria, si karta e kongresit të autoriteteve lokale e rajonal, për autonomi të plotë të qeverisjes qendrore nga ajo vendore. Ne nuk i pranojmë akte të tilla që ndodhin sot si në Korenë e Veriut apo dikur në diktaturën Staliniste.
Nuk ka asnjë tagër që kreu i narkoshtetit të ndërhyjë në mënyrë brutale në kompetencat e qeverisë vendore. Këto veprime përfaqësojnë, shkarkimi i drejtorëve në Vlorë, akt i prerjes së kokave të turkut. Pasi ka vjedhur zgjedhjet dhe katandisur në Vlorë në nivel standardesh që s’i ka pasur kurrë, mbush brigjet me ujra të zeza dhe djeg çdo dy javë qindra tonelata plehra dhe helmon Vlorën, u jep atyre si kocka disa drejtorë. Të cilët nuk u tha se çfarë urdhri nuk kanë zbatuar të kryetarit të bashkisë, të cilët marrin urdhra nga kryebashkiaku dhe jo kryeministri, gjithçka për t’u mbuluar”.
Më tej kreu i PD kaloi dhe tek zjarri në landfillin e Elbasanit, që e cilësoi krimin mjedisor më të rëndë në kujtesën e tij, teksa vuri theksin edhe tek indiferenca e SPAK-ut.
“Merrni Elbasanin, vazhdon djegia e thellë e plehrave të djegësi i Elbasanit, që Rama ua paraqiti shqiptarëve si kulmin e suksesit të tij, për të cilin mashtroi pasi vodhën bashkë me ministrat e tij 22 mln euro dhe sollën një rrangullinë, një teneqe që s’ka funksionuar një ditë. E tani u thotë elbasanasve hani kokat e këtyre drejtorëve në Vlorë. Nuk thotë asgjë për krimin e rëndë mjedisor, se kjo që ndodh është krim i rëndë mjedisor, që ka mbrojtës kryesor Altin Troplinin e për të cilin ky krim i Ramës dhe narkoshtetit nuk ekziston. Ka ditë që digjet gjithë ajo blozë dhe helme toksike, kancerogjene, i shkojnë qytetarëve të Elbasanit si dhuratë nga Rama, Gjiknuri, Balla, që mbushën xhepat me miliona e miliona euro. A tha ndonjë fjalë ai për zjarrin në mbetjet e Elbasanit? Nuk tha snjë fjalë, që në memorien time është krimi më i rëndë mjedisor, më i rrezikshëm, ka 4 ditë që digjen e digjen lëndë nga më të ndryshme”, tha ai.