Koalicioni “Shqipëria Bëhet” kanë zgjedhur Vlorën për të çelur fushatën për zgjedhjet e 11 majit. Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani mbajtën fjalën e tyre përpara mbështetësve, të cilëve u kërkuan votën më 11 maj me premtimin se do të sjellin ndryshime në ekonominë e vendit. Koalicioni “Shqipëria Bëhet” premtoi një minimum jetik prej 200 eurosh si dhe u ndal tek korrupsioni e bujqësia që siç duket janë kryefjala e programit të tyre. Lapaj u shpreh se do të ketë ulje të taksave ndaj biznesit si dhe subvencione në bujqësi e blegtori.
“Do e çojmë paranë te ata që i kanë duart me kallo dhe ballin me rrudha. Këta me xhetona nga Tirana që më thonë mua sikur kam qenë unë në qeverisje për 34 vite, këta që bëjnë pallate e kulla, unë u them se unë nuk do ndalem. Këta të baltës ndihen të kërcënuar sepse e dinë. S’mund të ketë Republikë të pasur me njerëz të varfër. Këta duan të na sjellin njerëz nga Bangladeshi, por ky vend duhet të jetë i shqiptarëve. Mos na lini vetëm,”- tha Lapaj ndër të tjera.