Dy ndeshjet e fundit të kombëtares shqiptare në eliminatoret e Botërorit 2026 kanë ngritur më shumë dyshime sesa dhanë përgjigje. Barazimi ndaj Serbisë në shtëpi, në një atmosferë të zjarrtë, dhe më pas ndalesa zhgënjyese në Riga kundër Letonisë modeste, kanë ndezur alarmin. Kombëtarja është futur në një qorrsokak, ku mungojnë idetë, qartësia dhe mbi të gjitha guximi për të marrë vendimet e duhura.
Në qendër të kësaj historie si “lakmues” qëndron një emër; Rey Manaj. Humbja e penalltisë ndaj Serbisë ishte momenti që e thelloi ndarjen mes tij dhe tifozëve. Në vend që trajneri Sylvinho ta ulte në stol për t’i dhënë një sinjal skuadrës dhe opinionit publik, bëri të kundërtën: e aktivizoi si titullar sërish ndaj Letonisë, madje e gradoi edhe kapiten.
Një “bast” i rëndë dhe i pakuptueshëm në sytë e publikut, sidomos kur alternativa si Broja, qendërsulmues natyral, i rrezikshëm dhe shumë më i rrezikshëm, u detyrua të luajë në një pozicion që vetë ka pranuar se nuk është ai i duhuri për të, anësor i djathtë. Kjo është simptomë e një problemi më të thellë; Sylvinho duket se po ngulmon më shumë te preferencat e veta sesa te performanca.
Pikëpyetje edhe më të mëdha lindën me mungesën e Elseid Hysajt në ndeshjen e Rigës. Shkodrani kishte fituar penalltinë ndaj Serbisë dhe ishte një nga më aktivët, por u la në stol pa asnjë arsye të qartë, duke sjellë konfuzion në zgjedhjet e trajnerit.
Për më tepër, mbrojtja me Kumbullën dhe Ismajlin ndaj Letonisë dështoi rëndë. Pa Gjimshitin dhe Ajetin, mbrojtja ra në nivelin e një skuadre pa personalitet, duke përsëritur gabime amatoreske dhe vënë në vështirësi Strakoshën, që u detyrua të priste edhe një penallti.
Mesfusha? E mbipopulluar me lojtarë të ngjashëm, por pa asnjë ide të qartë sesi të ndërtohej loja në 20 metrat e fundit. Asllani, Shehu, Laçi, të gjithë futbollistë punëtorë, por pa i dhënë dot frymëmarrje skuadrës në Riga.
Dhe sërish, vendimet e trajnerit Sylvinho, më saktë zëvendësimet e tij, meritojnë analizë. Daku, një tjetër sulmues që ka treguar se mund të sjellë pështjellim në mbrojtjet kundërshtare, u fut shumë vonë në lojë, ndërsa aktivizimi i Muçit, më shumë një lëvizje për “t’u mbyllur gojën” kritikëve, rezultoi pa ndikim.
E vetmja pikë drite në këtë errësirë ishte Thomas Strakosha. Portieri kuqezi ka fituar me meritë fanellën e titullarit, duke bërë dy pritje decizive në këto dy ndeshje. Sidoqoftë, portieri nuk e fiton i vetëm një betejë, sidomos kur ekipi para tij shpërdoron pa kujdes gjithçka ndërton.
Nga pikëpamja matematikore, shpresat e kualifikimit në Botëror nuk janë zyrtarisht të shuara, por realisht Shqipëria në këto dy ndeshje ka humbur terrenin dhe, më keq akoma, ka humbur momentin psikologjik. Serbia na ka ende përpara (me një pikë më pak se ne), por ka luajtur dy ndeshje më pak se kuqezinjtë. Anglia nuk diskutohet për vendin e parë, të paktën në letër. Praktikisht, gara për vendin e dytë, që do të na çonte në “play off”, është kthyer në një mal të pakalueshëm.
Në fund, fjalët e presidentit Duka “nuk ka mbaruar asgjë” tingëllojnë më shumë si kapje pas fijes së kashtës sesa si besim i bazuar në fakte. Ajo që ka mbaruar realisht është iluzioni për një kombëtare që nuk di të marrë përgjegjësi në momentet e rëndësishme.
Ka ardhur koha që Sylvinho dhe stafi i tij të bëjnë një analizë të thellë. Nuk mjafton më të thuhet “do të kthehemi më të fortë në shtator”. Kthimi kërkon ide, guxim, riorganizim dhe ndoshta një tjetër qasje me lojtarët që kemi në dispozicion. Kualifikimi kalon vetëm nga vendimet e guximshme dhe nga heqja dorë prej preferencave personale të tipit “Manajn e njoh që tek Interi…”
Ndryshe, ky edicion do të jetë një tjetër dështim i bujshëm i kombëtares, me kosto të konsiderueshme financiare, jo vetëm sportive. Dy ndeshjet e qershorit treguan qartë një të vërtetë të hidhur: kjo kombëtare është pa identitet, pa ide dhe, më keq akoma, e drejtuar nga një trajner që nuk ka as guximin dhe as aftësinë për të marrë vendime të mëdha në momente decizive.
Barazimi në Tiranë ndaj Serbisë ishte një autogol psikologjik. Kishim shansin ta mbyllnim praktikisht garën për vendin e dytë, e kishim ndeshjen në dorë, me atë penallti në favor. Çfarë ndodhi? Rey Manaj, një sulmues që gjithmonë është marrë me shumë bujë e pak gola, dështoi në mënyrën më spektakolare të mundshme.
Dhe në vend që të shkonte në stol, në vend që Sylvinho të tregonte karakter, Manaj u bë titullar sërish, madje kapiten ndaj Letonisë. Një vendim që nuk ka asnjë justifikim sportiv, logjik apo edhe moral. Rezultati? Një tjetër barazim zhgënjyes, ndaj një Letonie që as vetë nuk e besonte se mund të nxirrte pikë.
Çfarë mesazhi dha trajneri me këtë zgjedhje? Se dështimi nuk ndëshkohet, por shpërblehet. Se kapiteni nuk është më figura e sakrificës dhe lidershipit, por i preferencave personale të trajnerit. Manaj në fushë dhe Hysaj në stol janë diagnoza më e mirë e kësaj kakafonie në kampin kuqezi…(Telesport)