Shqipëria pa ambasador! Përsëritet precedenti ‘Kavalec’, “sytë” nga Senati

David Kostelancik nuk do të jetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Vendimi është marrë dje, kur kandidatura e tij ka kaluar për aprovim në Senatin amerikan. Më shumë sesa për Amerikën, nuk është një lajm i mirë për Shqipërinë që ka prej qershorit të vitit që lamë pas pa një ambasador. Me largimin e Yuri Kim nga Shqipëria, pritej që të vinte Kostelancik.

Derisa propozimi i tij të kalonte nga Senati, në Shqipëri u soll i ngarkuari me Punë, David Wisner. Por edhe ky i fundit, aq sa ia lejon detyra, ka zhvilluar takime në emër të presidentit Joe Biden, më tej nuk ka shkuar dot më.

Asnjë deklaratë politike nuk ka dalë nga godina e vendosur në rrugën e Elbasanit, edhe pse ngjarjet në vend nuk kanë qenë të zakonshme. Aq më tepër në një kohë kur SPAK më tepër se kurrë ka pasur nevojën e një duarttrokitje nga ana e tyre. Sidomos pas ‘peshqëve të mëdhenj’ që u futën në rrjetë, që nga Sali Berisha, tek Arben Ahmetaj, e Ilir Beqaj së fundmi. Këto ngjarje dhe aksione të SPAK, një ambassador nuk do i kishte lënë kurrë pa komentuar. Aq më pak, përplasjet dhe tensionet që nuk janë të paprecedenta në Kuvend.

Por duket se edhe për pak kohë do të jetë kështu! Duke qenë se kandidatura e Kostelancik nuk u miratua nga Senati, procedura parashikon se presidenti i SHBA, Joe Biden mund të çojë sërish të njëjtin emër, por mbase edhe një emër tjetër në Senat. Nëse kemi të bëjmë me rastin e dytë, duhet të kemi durim sepse ka shumë punë deri në marrjen e ‘ok’ nga Senati.

Para se të emërojë një kandidat, Shtëpia e Bardhë kontrollon me rigorozitet kualifikimet, financat, karrierën dhe jetën personale të të përzgjedhurit në fjalë. Por ky është vetëm fillimi.

Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë shqyrton të nominuarit privatisht dhe më pas gjatë një seance dëgjimore publike. Nëse gjithçka shkon mirë, komiteti miraton nominimin dhe ia dërgon Senatit të plotë për votim. E gjithë kjo procedurë, deri në votimin e djeshëm për Kostelancik ka zgjatur 6 muaj, pasi ai u zgjodh nga Biden më 24 janar 2023. E vetëm 1 vit më vonë mundi që të dalë para Senatit.

Një tjetër problem, janë zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në SHBA në nëntor…po sikur Biden të mos fitojë sërish?

Atëherë e gjithë procedura, nis nga fillimi për të zgjedhur një tjetër emër, që mund të jenë më pranë një presidenti republikan. Nëse rizgjidhet Biden, mund të jemi sërish përballë një skenari të ngjashëm ku republikanët, të cilët kanë shumicën në sallë, të hedhin sërish poshtë të përzgjedhin e tij. Pra; në total, është një procedurë që mund të zgjasë edhe 1 vit tjetër, që për Shqipërinë do të thotë 2 vite pa një ambasdor amerikan. Një ngjarje që deri më tani nuk ka ndodhur në historinë pluraliste të vendit tonë.

PRECEDENTI Kavalec

Pas përfundimit të mandatit të Donald Lu-së, më 3 korrik 2018, presidenti Donald Trump firmosi emërimin e Kathleen Ann Kavalec, si ambasadore të SHBA në Shqipëri. Propozimi u bë më 3 korrik, por vonoi. Madje asokohe u bë skandal për faktin sesi Shqipëria kishte 5 muaj pa ambasador amerikan. Kavalec ishte emëruar në fakt nga shefi i Shtëpisë së Bardhë në korrik 2018 dhe qysh nga ajo kohë, kandidatura e saj ka qenë në pritje për t’u konfirmuar nga Komisioni i Senatit për Punët e Jashtme, që më pas të kalonte në dhomën kryesore për vendimin final. Por sipas rregullave, kur koha e pritjes për konfirmim i kalonte të 30 ditët, kandidatura duhet të qt’i kthehej presidentit. Për kohën kandidatura e Kavalec ka qenë një prej rasteve me pritjen më të gjatë për konfirmim nga ato që i janë paraqitur komisionit të senatit, mirëpo me Kostelancik një rekord i ri është vendosur.

Deri në zgjedhjen e pasardhësit të Yuri Kim, do të mësohemi me heshtjen që do të ‘buçojë’ nga rruga e Elbasanit./ZËRI

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us