Viti 2023 ka shënuar një rekord të ri sa i përket mjeteve të reja që kanë hyrë në vend. Kështu sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor përgjatë vitit që lamë pas në vend ka hyrë rreth 80 mijë automjete. Muaj dhjetor, i cili përkon dhe me festat e fundvitit, është muaji që mban dhe numrin më të lartë të mjeteve të futura në vend, me më shumë se 8 mijë e 600 automjete.

Tirana, Durrësi, Fieri dhe Elbasani, janë qarqet ku qytetarët e tyre kanë regjistruar dhe blerjet më të mëdha përgjatë vitit 2023. Ndër mjetet e futura në vend, 87% janë makina personale, 7% motorë, ndërsa pjesa tjetër janë mjete të mëdha.

Sa i përket markave të hyra në vend, “Mercedez Benz”, duket se nuk është më zgjedhja e parë e shqiptarëve. Pasi në vend të parë rënditet “Volswagen”, me prodhimet e saj. Në vend të dytë “Benz”, ndërsa në vend të tretë “Audi”.

Ndërsa sa i përket vendeve importuese, shqiptarët mbeten besnikë të Gjermanisë, e cila dhe është prodhuesja e makinave të zgjedhura prej tyre. Në vend të dytë rënditet Italia. Një peshë të rëndësishme për vitin 2023 zënë makinat e importuara nga Koreja e Jugut. Kjo e fundit ka importuar në Shqipëri mbi 8000 mjete.

Ndërkohë mjetet elektrike, duket se nuk po “përqafohen” kollaj nga shqiptarët. Në vitin 2023 në vend u importuan më shumë se 4 mijë mjete elektrike, por që mbetet larg pritshmërive. Ndërsa në total në vendin tonë qarkullojnë 876.765 mjete. Persona që posedojnë leje drejtimi janë 1,065,724.