Të gjithë personat që kanë lindur përpara vitit 2000, që nuk dokumentojnë rivaksinimin ndaj fruthit, duhet që të vaksinohen.
Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Shëndetësisë, personat që kanë lindur në vitet 80-99 që nuk janë vaksinuar me dozën e dytë të fruthit, duhet të vaksinohen.
Udhëzimi i MSH ka shkuar në qendrat shëndetësore, me orientime për identifikimin dhe izolimin e rasteve me fruth. Numri i fëmijëve që janë identifikuar tashmë si të infektuar me fruth ka shkuar në 17.
Autoritetet shëndetësore shprehen se janë të alarmuar nga kjo gjendje dhe kanë kërkuar që Ministria e Arsimit të ndërhyjë, pasi në shkolla janë pranuar nxënës, pa paraqitur certifikatën e vaksinimit.
Ligji për sëmundjet infektive parashikon se asnjë fëmijë i pavaksinuar nuk mund të shkojë në kopshte, çerdhe apo në shkolla. Mosvaksinimi i fëmijëve nga fruthi i ekspozon ato ndaj rubeolës. Po ashtu, nëse preken nga fruthi, një risk mbartin edhe gratë shtatëzënë.
Aktualisht, raste të fruthit janë konfirmuar në Tiranë dhe në Durrës. Kryeqyteti rrezikon më tepër, pasi ka një numër të lartë të të pavaksinuarve. Ekspertët shëndetësorë kanë bërë thirrje për të vaksinuar fëmijët, pasi sëmundja tepër ngjitëse dhe deri vdekjeprurëse ka alarmuar edhe Europën./ZËRI/