Silvinjo e ka harruar, por Shpendi jo: Nëse më vjen ftesë nga Shqipëria i them “po”, fanella është krenari

Kristian Shpendi pret ende një ftesë nga Kombëtarja shqiptare, edhe pse trajneri Silvinjo e ka lënë në harresë autorin e 11 golave në Serinë B në këtë sezon dhe përtej Adriatikut përmendet gjithnjë e më shumë ideja e një ftese nga Italia thjesht për stërvitje. Por vetë djaloshi pret me padurim një ftesë kuqezi, siç e tregoi në një intervistë radiofonike për “Onda Bianconera”.

Në emisionin që i kushtohej Çezenës, ai ka folur edhe për një ftesë të mundshme nga Shqipëria, duke konfirmuar se do i thoshte menjëherë ”po” nëse do të merrte një të tillë  nga Kombëtarja A për ndeshjet e qershorit.

“Nëse më vjen nga ekipi i parë, padyshim do më pëlqente dhe do të thosha “po” se është krenari të vesh fanellën e Kombëtares shqiptare. Nëse më vjen, do ta pranoja”, tha ai.

Lajme të tjera |  4 "firo" dhe 1 në pritje, Tirana e “masakruar” përballë Pogradecit

Më pas futbollisti tha se nuk kishte caktuar në mendjen e tij një plan të qartë se kur synonte të luante në kampionatin e elitës, edhe pse ofertat nga klubet e Serisë A nuk i mungojnë.

“Unë dua të them që nuk kam objektiv me vite, do të doja të luaja në një kampionat të nivelit më të lartë kur të jem i gatshëm e ta di që jam gati. Do të doja të luaja në nivelin më të lartë. Nëse pas një, dy, tre, katër vitesh, nuk e di. Por kur të jem gati”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us