Situatë e pazakontë me trajnerët në Itali, të gjithë mund të shkojnë gjithkund

Nga skuadrat e dhjetëshes së parë në Serinë “A” italiane, dukej se të sigurt ishin vetëm Rafaele Paladinoja i Fiorentinës dhe Vicenzo Italianoja i Bolonjës. Dje pasdite media italiane raportonte se Paladinoja, megjithëse kishte dakordësinë e rinovimit deri në 2027-n pas një sezoni shumë të mirë me skuadrën violë, paskërka paraqitur kërkesën për dorëheqje. Situata me “merkaton e trajnerëve” në Itali nuk ka qenë kurrë më interesante se sa këtë vit.

Napoli kërkon Konten, të cilin po e ndjek edhe Juventusi. Ish-mesfushori ishte duke shkuar drejt Torinos për bardhezinjtë, por De Laurentis i hodhi në tryezë De Brujnen, Dejvisin e Lilës dhe me gjasë edhe ndonjë lojtar teknik mes Kang In Lisë së PSG-së dhe Garnaços së Mançester Junajtidit. Presidenti po i skicon trajnerit ëndrra joshëse mbi tryezë, suksese të cilat CV-së së pasur të Kontes i mungojnë. Po flasim për sukseset kontinentale. Çfarë bëri ai? Menjëherë kërkoi kohë dhe ka nisur të mendohet. Napolin, nga ana tjetër, e do edhe Masimiljano Alegri. Masimo është i joshur nga mjedisi napoletan, si trajner që i pëlqejnë klimat e ngrohta dhe mikpritëse të stadiumeve, por do t’i pëlqente po aq të kontribuonte nga dita 0 në rindërtimin e projektit “New Milan”.

Milani do ta largojë portugezin Konseisao. Trajnerin portugez do ta donte Lacioja si ish-kampion në vitin 2000. Me një ish-kampion të vetin Lacioja do të rregullonte marrëdhëniet me tifozerinë e vetë. Vetëm se presidenca e Lacios dëshiron pak më tepër Sarrin. Ndaj tij ndjejnë një detyrim moral. Dy vjet më parë u dorëhoq përpara se të pushohej dhe nuk i kërkoi klubit asnjë penalitet. Lotitoja këtë nuk e harroi dhe i ka ofruar një dyvjeçare me 2.8 milionë euro në vit ish-teknikut toskan.
Gasperini po ikën nga Atalanta, atë e pëlqen Roma. Te Atalanta mund të shkojë njeri mes Tudorit dhe Tiago Motës, të dy trajnerë shumë simpatikë të gjeneratës së re. Tudori luan 3-4-2-1 dhe Atalantës nuk do t’i duhet të ndryshojë sistem loje post-Gasperini. Një emër i tretë post-Gasperini është edhe Domeniko Tedeskoja, ish-trajneri i Belgjikës dhe Lajpcigut.

Lajme të tjera |  SOT, ORA 20:45/ Dilema në mbrojtje dhe sulm, ja si pritet të luajë Shqipëria. Stojkoviç mund t’i besojë formacionit fitues

Ranieri e mbylli me karrierën si trajner dhe Roma po mban njerin sy nga Gasperini, njëherësh ruan edhe Fabregasin. Spanjollit Komoja nuk po i thotë “Jo” për asnjë kërkesë, kështu që nuk përjashtohet se ai mund t’ua kthejë me besnikëri. Romën, portali Zëri pak ditë më parë ka dhënë ekskluzive sinjalin e lexuar nga ne se e do edhe e kërkon edhe Rafa Benitezi. Ai ka lëshuar një sinjal të qartë interesi për klubet me ambicie në Serinë “A”, përmes një interviste në mediat periferike spanjolle.

Nëse Inzagi ikën në Arabinë Saudite, ai që mund të vuajë për zëvendësues është Interi. Megjithatë Domeniko Tedesko, një trajner i shumëpërfolur i gjeneratës së re italiane, e ka mbyllur me Belgjikën, pas përvojave shumë të mira me Lajpcigun. Interi, edhe si operacion marketingu, nuk do të kishte asnjë kundërshtim të kthehej pak Inter italo-gjerman, si në kohërat e Klinsmanit. Megjithatë, nuk përjashtohen as emrat gjigantë të Roberto Mançinit, apo ndonjë ndryshim i momentit të fundit kah Gasperinit, nëse Roma zgjedh Fabregasin. Nëse në orët në vijim do të konfirmohet dorëheqja e Paladinos nga Fiorentina, nuk përjashtohet as emri i tij.

Lajme të tjera |  VIDEO/ Italia për turp, Norvegjia e Haaland e “shpërbën” në Oslo

Marko Baroni i Lacios, trajneri që i bëri lacialët të ëndërrojnë zonën evropiane me një skuadër me blerje modeste deri në sekondën e fundit, nuk do të mbetet pa punë. Çështje ditësh! Ai mund të sistemohet te Torinoja.

Juventusi, siç e thamë në krye të herës, po ndjek Konten. Rinovimi automatik i Tudorit ka ndodhur deri më 2026-n, pasi ai plotësoi kushtin e kualifikimit në zonën evropiane. Mirëpo Juventusi ka ruajtur në kontratë klauzolën e të drejtës për ndërprerje marrëdhënieje. Nëse Kontja nuk mbërrin në Torino, njeri opsion është vijimësia e Tudorit, gjithsesi trajner shumë i talentuar dhe punëtor. Del Pieroja sapo është licencuar trajner dhe tifozët janë njëzëri edhe pro rikthimit të tij në klub. Ai mund të rikthehej edhe si ndihmës i Kontes apo Tudorit. Mirëpo kujdes! Sikur është lënë jashtë vëmendjes fakti se një tjetër emër sillet i papunë nëpër Evropë, italishtfolës dhe ish-juventin. Emri i tij juventinët do t’i ngrinte peshë. Ai quhet Zinedin Zidan.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us