“Sjellja e policëve me qytetarët mbetet për t’u rregulluar,” Rama: Rritje të konsiderueshme pagash në 2024

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, kanë vizituar pasditen e së premtes shtëpinë e re të inspektorit të Policisë së Shtetit, Vionis Shehu.

Shehu, ka përfituar nga  programi i kredive të garantuara nga qeveria për shtëpitë e familjeve të reja të punonjësve të policisë, mjekëve dhe ushtarakëve.

Ndër të tjera, gjatë bisedës me pronarët e shtëpisë së re, Rama dhe Balla theksuan se në buxhetin e 2024 është parashikuar një rritje e konsiderueshme pagash për punonjësit e policisë së shtetit. Siç është paralajmëruar, rritje do të ketë edhe për mjekët e përgjithshëm si dhe për arsimtarët.

“Rritja e pagave vitin tjetër do të jetë e konsiderueshme. Nga buxheti i shtetit, policia e shtetit, rritje historike krahasuar me institucionet e tjera.”

Ndërsa, duke u ndalur te puna e bërë deri më tani me Policinë e Shtetit, kreu i qeverisë theksoi se punë është bërë, por mbeten ende disa hallka për t’u rregulluar. Ai solli si shembull sjelljen e efektivëve, që siç u shpreh, mbetet ende për t’u rregulluar.

Rama u ndal edhe tek disa nga benefitet që kanë punonjësit e Policisë së Shtetit.

“E kemi diskutuar gjatë edhe më përpara dhe tani krijuam këtë sistemin me kartën e dedikuar. Kartën e çdo familje të një punonjësi policie që shkon në një super market. Kështu që kartat i kalojnë grave, ato shkojnë në supermarkete që janë të lidhura me Ministrinë e Brendshme dhe marrin ushqimin me ulje. Për ato lloj kartash është 10–15 % sipas produkteve. Kështu që e tha dhe drejtori është 100 mijë lek në muaj plus nga paga që është ushqim, po si vlerë blerje është edhe më shumë. Po është edhe rritja e pagave vitin tjetër është e konsiderueshme. Kjo rritja e 2024 është goxha e konsiderueshme për punonjësit e policisë edhe për mjekët e përgjithshëm, edhe për arsimtarët. Faktikisht do të shkojë 900 euro paga mesatare në shtet. Mos harro një gjë,  që krahasimi  pagë me pagë është tjetër, edhe çfarë shkon në shtëpi është tjetër. Se ti mund ta shohësh pagën në pagë, po themi punonjësi i policisë shqiptare me atë gjermane nuk është diferencë e madhe, mirë po taksat që ka ai te paga, shpenzimet që ka ai për qera e për histori të tjera, e transporti është histori më vete”, u shpreh Kryeministri.

Sa i përket pagave të punonjësve të policisë, ato pritet që të rriten në 21-35%, nga 7% që u rritën gjatë vitit 2022-2023.

Lajme të tjera |  Nënkryetari i LDK: Një qeveri tranzicioni do t'i jepte oksigjen politik Kosovës! Jemi peng i veprimeve të Kurtit

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us