Gjatë një takimi me vajzat dhe gratë e Korçës, kryesocialisti Edi Rama e dha edhe një herë porosinë e tij. Sipas tij, gratë duhet të jenë ato që t’u japin një shans burrave demokratë që të shpëtojnë nga këneta.
Madje për 11 Majin, Rama ka edhe një zgjidhje për ata që nuk do ndryshojnë mendje. Thirrja e tij është t’i venë burrat demokratë në gjumë që të mos votojnë fare.
“Burrat demokratë duhet të kenë shansin që të shpëtojnë nga këneta dhe atë shans duhet tua jepni ju përmes grave të tyre. Burrat demokratë duhet të kenë shansin që të dalin nga kategoria e atyre që s’mbushin. Dhe në rastin më të keq kur nuk mbushin t’i venë burrat në gjumë që të mos votojnë fare”, tha Rama
Deklaratat e tij për vajzat socialiste që votojnë për herë të parë që t’ua kushtëzojnë votën personit të zemrës, nëse janë demokratë sigurisht, kreu i qeverisë i çoi në një nivel tjetër.
Këtë radhë porosia ishte për familjet e tyre dhe të bëjnë kujdes me krushqitë.
Sipas tij, çdo krushqi me demokratët duhet të bazohet te një fakt, nëse është BE-në apo me kënetën.
Për Ramën, nëse krushku është me BE-në çifti të trashëgohet, por nëse është me kënetën, fatkeqësisht nuk ka miqësi.
Të gjitha këto deklarata shkaktuan të qeshura në Pallatin e Sportit në Korçë, e atyre nuk iu shmang dot as kryeministri Rama.
“Më kishin sulmuar se i thosha ca vajzave votuese të para që nëse keni ndonjë djalë demokrat që ju buzëqesh, ju shkel syrin, etj. Keni rastin ta provoni, vlen a s’vlen? A vjen me ju të votojë pesën apo do mbetet me gishtin e tij? Nëse nuk vjen me ju të votojë pesën është koha për ta lënë në punën e vet. Edi Rama predikon ndarjen e çifteve të reja për politikë e parti. Po patjetër nuk mund të diskutohet fare. Vajzat tona nuk mund të pranojnë çyrykë. Patjetër, por pa i paragjykuar. Duhet të punojnë deri ditën e fundit t’i shpëtojnë. Po nëse çyryku thotë dua të hidhem në kënetë, do vejë vajza të hidhet në kënetë, në asnjë mënyrë. Vajza do shkojë në BE. Çfarë kuptimi ka kjo? Dhe fakti që jeni dakord me mua më mjafton se thashë mbase kam edhe unë ndonjë gabim. Kështu që krushqia me çdo demokrat bazohet tek je me BE-në, apo je me kënetën. Nëse je me BE-në të trashëgoheni, nëse je me kënetën, nuk ka vajzë për ty”, tha Rama.