Skandal i rëndë me fondet e BE/ Dorëhiqet ministri grek i Emigracionit dhe tre zëvendësministra pas hetimeve për abuzim me subvencionet bujqësore

Një skandal i thellë korrupsioni ka tronditur qeverinë greke, duke çuar në dorëheqjen e ministrit të Emigracionit Makis Voridis, si dhe tre zëvendësministrave dhe një sekretari të përgjithshëm. Shkak është bërë keqpërdorimi masiv i fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë, që sipas Komisionit Europian, arrin në qindra miliona euro.

Hetimet e Prokurorisë Europiane kanë zbuluar se për gjashtë vite, është zhvilluar një skemë e paligjshme subvencionesh për fermerët grekë, duke shpërndarë fonde në mënyrë selektive, të manipuluar dhe në shumë raste për ferma fiktive apo projekte që nuk kanë ekzistuar asnjëherë në terren.

Komisioni Europian ka vendosur tashmë një gjobë fillestare prej 415 milionë eurosh ndaj Greqisë, e cila mund të rritet deri në 600 milionë euro, për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së kontrolleve efektive në përdorimin e fondeve të BE-së.

Lajme të tjera |  Këmbimi valutor 27 qershor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

Dosja hetimore, që përfshin mbi 3000 faqe, zbardh ndërhyrje politike, manipulime të të dhënave dhe përgjime telefonike ku zyrtarë të lartë diskutonin favorizime, përfitime personale dhe elektorale nga fondet e BE. Në qendër të akuzave është vetë Voridis, i cili në të kaluarën ka mbajtur edhe postin e ministrit të Bujqësisë dhe kishte nën mbikëqyrje agjencinë shtetërore OPEKEPE, përgjegjëse për menaxhimin e këtyre fondeve.

Përveç Voridisit, dorëheqjet janë pranuar edhe nga:

Tasos Haxhivassiliou, zëvendësministër i Jashtëm
Dionysis Stamenitis, zëvendësministër i Zhvillimit Rural
Christos Boukoros, zëvendësministër për Qeverisjen Dixhitale
Giorgos Stratakos, Sekretar i Përgjithshëm për Zhvillimin Rural
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka pranuar dorëheqjet, ndërsa hetimet janë në zgjerim dhe pritet të përfshijnë emra të tjerë të botës politike dhe administrative në Greqi. Skandali ka ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik dhe ka tronditur marrëdhëniet e Athinës me Brukselin, në një moment të ndjeshëm për buxhetin europian dhe transparencën institucionale.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us