Juristi Ylli Manjani ka publikuar në Facebook të dhënat e një studimi që tregon se nga rreth 5200 të izoluar në institucionet e vuajtjes së dënimit, rreth 3100 prej tyre janë të paraburgosur dhe vetëm rreth 2100 të izoluar janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Pra 60 % e të izoluarve në burgje janë pa një vendim dënimi nga gjykata.
Manjani thotë se në këtë mënyrë, ‘drejtësia e re’ ka dështuar totalisht me metodën “burg-burg-burg”.
“Ky është kulmi i dështimit të ndjekjes penale në Shqipëri. Praktikisht arresti me burg është bërë vendim dënimi. Një dënim pa prova dhe pa proces të rregullt. Një ndjekje penale që bazohet në sentencën politike “burg-burg-burg” nuk është drejtësi, por dhunë shtetërore. Hakmarrje primitive në emër të forcës. Kjo dhunë dukshëm është e motivuar politikisht. Drejtësia e reformuar zbaton sentencën e diktuar publikisht nga Edi Rama “burg-burg-burg“”, thotë Manjani, ndërsa thekson se ky është një “terror shtetëror për të krijuar idenë fallco të shtetit”.
Shënimi i plotë i Manjanit:
Burg-burg-burg, bëhet dështim!
Nga rreth 5200 të izoluar në institucionet e vuajtjes së dënimit, pra ku gjendet të izoluar të dënuar dhe të paraburgosur, rreth 3100 prej tyre janë të paraburgosur. Vetëm rreth 2100 të izoluar janë të dënuar me vendim të formës së prerë. E dhënë kjo e bërë publike nga një raportim i BIRN.
Pra 60 % e të izoluarve në burgje janë pa një vendim dënimi nga gjykata!!! Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i lartë numri i të paraburgosurve sa tani.
Ky është kulmi i dështimit të ndjekjes penale në Shqipëri. Praktikisht arresti me burg është bërë vendim dënimi. Një dënim pa prova dhe pa proces të rregullt.
Një ndjekje penale që bazohet në sentencën politike “burg-burg-burg” nuk është drejtësi, por dhunë shtetërore. Hakmarrje primitive në emër të forcës. Kjo dhunë dukshëm është e motivuar politikisht. Drejtësia e reformuar zbaton sentencën e diktuar publikisht nga Edi Rama “burg-burg-burg”.
Kjo dhunë e shprehur në këto statistika është abuzim masiv me liritë kushtetuese dhe ligjet e ndjekjes penale. Burgjet janë konceptuar për të dënuarit për krime dhe jo për të dënuar njerëz pa prova. Paraburgimi është konceptuar për raste ekstreme, kur mjetet e tjera nuk kanë dhënë rezultat.
Terror shtetëror për të krijuar idenë fallco të shtetit, janë këto të dhëna.
Kjo situatë do të thotë pasiguri masive ligjore për shtetasit në këtë vend. Kombinuar edhe kontrollet e dhunshme të banesave, bisneseve, personave, përfshi këtu edhe median, kjo statistikë përforcon klimën shtypëse të pushtetit në emër të reformës në drejtësi.
Kush ka sy në ballë e mend në kokë e lexon dhe e mendon këtë gjë si represion ekstrem të shtetit kundër shtetasve të vet.
Kush ka dy pare mend e do të japë gjykimin për suksesin e reformës, duhet të ballafaqohet me këtë rezultat që në çdo standard quhet dështim total.