Vladimir Mulaj, avokat dhe ish-student i Dhjetorit të vitit 90’ tregoi në një intervistë për Euronews Albania më shumë rreth katastrofës që çoi në lëvizjen studentore të vitit 1990.
Ai e cilësoi atë periudhë si më të rëndësishmen në historinë e Shqipërisë.
“Secili student ruan specifikat e veta. Ato ditë Qyteti Studenti, pothuajse gjatë gjithë vitit, po ziente nga kriza ekonomike, kriza sociale, dhuna, terrori. Policia kishte filluar, që te stacioni i autobusëve bënte dhunë, demonstronte dhunë, vriteshin njerëzit dhe ishte një situatë shumë e rëndë. Më kujtohet që kemi qenë dhe në Kavajë dhe ishte një gjendje e mjerueshme, s’kishte asgjë nëpër dyqane, vetëm marmalatë.
Plus, isha te një njeriu im në Durrës dhe gruaja e tij më tha se ishin në Kavajë dhe ishte bërë një protestë dhe kanë sharë Nexhmien, kanë quajtur Enverin Hitler, e të tjerë, pra gjithë kjo kohë, unë kam këtë të veçantë, që si student i dhjetorit, kur kam qenë në vit të katërt, kam ardhur me shumë vështirësi në shkollë të lartë sepse gjithë familja ime nga nëna ishte në internim burgjeve. Nëna ime e ka nisur me Tepelenën domethënë dhe unë jam rritur në një frymë shumë anti-regjim,” – u shpreh Mulaj.