Socialistët festojnë fitoren e 11 majit, Rama: Ne morëm votat tona, demokratët s’i votuan! Paralajmëron ndryshime në kabinet

Socialistët po festojnë sonte fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Festa e socialistëve ka nisur në orën 18:00, në ambientet e Pallatit të Brigadave. Nga kryeministri Edi Rama, të ftuar janë të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste në listat shumëemërore që luftuan për një mandat në zgjedhje. Në fjalën e tij të gjatë, kreu i qeverisë ka prekur disa çështje shumë të diskutuara gjatë zgjedhjeve por jo vetëm. Si fillim ka komentuar akuzat e opozitës për të ashtuquajtur “treni bullgar”, që sipas tyre është implementuar në zgjedhjet që u mbajtën të dielën e 11 majit. Kryeministri hodhi poshtë çdo aludim për manipulim apo presion elektoral, duke thënë se rezultati i zgjedhjeve është fryt i një pune të gjatë dhe të programuar që pas zgjedhjeve vendore.

Por jo vetëm kaq! Ai thumboi edhe drejtuesen e PD për Diasporën, Jozefina Topalli.

Rama: Këto ditë universi i tyre paralele është mbushur me thasë re të zeza që derdhin ngado shiun e votave të vjedhura. Zarfe votash që mësyjnë nga të katër anët që mësyjnë si tufa zogjsh prej letre, trena bullgar që përshkojnë malet dhe luginat e Shqipërisë për të shumëfishuar votat regjimit, vargmale me kanabis që lulëzojnë me bekimin e partisë shtet dhe me licencat imagjinare të shtetit parti, dhjetra deputetë të rinj dhe të reja këtu që kanë dalë nga shpellat e krimit. Ne nuk kemi asnjë zhgënjim këtu, avazi është siç e kemi ditur dhe siç e paralajmërova unë me precizionin e atij që tregon një film që e ka parë 10 herë. Ne morëm thjesht frytet e një punë të gjatë këmbëngulëse, të programuar me një kalendar qysh pas fitores se zgjedhjeve vendore

Për Ramën nuk ka pasur blerje votash duke shtuar se për këtë “flet” matematika dhe shifrat. Sipas tij, Partia Socialiste edhe në këto zgjedhje ka marrë votat e saj, duke theksuar se nga zgjedhjet e fundit, Partia Demokratike kishte 200 mijë votues më pak. Edhe në këtë analizë, Rama nuk e ka kursyer ironinë.

“Ai (Berisha) u braktis edhe nga ndjekësit e tij, që ishin të shumtë që qëndruan në shtëpi më 11 maj. Se ne votat tona kemi marrë përsëri. Ndërkohë që këto 200 mijë që mungojnë, janë ata që qëndruan në shtëpi. Po të ishte Luli do thoshte ‘kanë vdekur’. Këta të tjerët që i bien më gjatë thonë që i kemi blerë ne. Por llogaria nuk del. Matematika nuk del,”-tha Rama.

Lajme të tjera |  Arsyeja e qetësisë së thellë të Edi Ramës

Për të gjithë ata që humbën postin e deputetit, kryesocialisti foli për postet e reja, duke i ofruar edhe ndarjen e eksperiencës së tyre në Akademinë Politike të Partisë Socialiste.

Unë ua mirëkuptoj mërzinë për humbjen e garës individuale. Nuk ka garë që mund ta humbasësh pa u mërzitur. Por nëse do ta shohin humbjen e vendit të punës, në një vend tjetër pune, si fitues të mandatit historik të 11 majit, atëherë jo vetëm që do të vazhdojnë të jenë të dobishëm por edhe do të pas urojnë karrierën e tyre. Por edhe nëse do të dëshirojnë që të vijnë në Kuvend, do të provojnë sërish në të ardhmen.

Ndërkohë, ende pa ardhur shtatori, paralajmëroi ndryshime në Kabinet.

“Kemi garantuar drejtësinë, forcuar sigurinë, rritur reputacionin dhe kemi bërë histori me vendin tonë brenda kësaj dekade. Duhet ta nisim nga vetja për të ndarë mendjen si duhet mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, dhe duhet të bëjmë disa gjëra ndryshe. Duhet që të bëjmë disa lëvizje në udhëheqjen e partisë dhe në qeveri. Na duhet një punë e madhe me veten në radhë të parë, përsëri këtë herë, me më shumë thellësi dhe vendosmëri, duhet ta nisim nga vetja për disa gjëra që duhen parë, kuptuar dhe bërë ndryshe, në nivelin e udhëheqjes së partisë dhe të qeverisë. Kur flas për nivelin e udhëheqjes flas për këtë grup që është këtu. Na duhet mirëkuptim i plotë brenda nesh për t’u siguruar dhe për të siguruar popullin shqiptar dhe familjen e BE me fjalë të përputhura me veprat se do ta përdorim fuqinë e mandatit të katërt si fuqi të madhe vetëkorrigjuese,”-shtoi kreu i qeverisë.

Lajme të tjera |  Partia Demokratike ka nevojë për “njerëz të rinj”

Edi Rama ka deklaruar sot se drejtësia në Shqipëri funksionon në mënyrë të pavarur dhe e pandikuar nga politika. Madje ka marrë edhe një shembull konkret! Rama tha se shteti shqiptar ka humbur një gjyq në Apel, ku është urdhëruar të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë të ndodhur tetë vite më parë, ndonëse nuk ka pasur të vdekur apo të plagosur.

“Ne nuk japim dot drejtësi për shumë shqiptarë që enden për drejtësi. Kemi humbur një gjyq në Apel ku i kërkohet shtetit të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë 8 vite më parë, ku nuk ka pasur as të vdekur e të plagosur, por shoferi me shoferen kanë pasur vizionin të hedhin shtetin në gjyq për rrezikun e jetës. Vendimi është marr brenda një dite dhe shteti është goditur me 500 mijë euro. As për shtetin ne nuk i korrigjojmë dot gafat që ndodhin në sallat e gjyqeve. Ne nuk kemi në dorë fatin e askujt prapa dyerve të pushteti gjyqësor. Por ne kemi në dorë që të udhëheqim me forcën e shembullit të jemi sa më të drejtë ne dhe të jemi mburojë e pathyeshme e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë duke nisur nga SPAK që do të vijojmë që ta mbështesim,”- tha ai.

Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste siguroi mandatin e katërt të qeverisjes, duke shënuar historinë në Shqipërinë pluraliste. Pas numërimit të votave, socialistët siguruan plot 83 vende në Kuvendin e Shqipërisë. Partia Demokratike, kundërshtarja kryesore, mori vetëm 50 vende, ndërsa mandatet e tjera u shpërndanë për partitë e vogla.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us