Sot “Dita e Rinisë”, 34 vite më parë nisi Lëvizja Studentore që solli demokracinë

Sot, më datë 8 Dhjetor është Dita Kombëtare e Rinisë, një datë e cila kujton një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së saj, kur 34 vite më parë nisi Lëvizja Studentore që solli demokracinë në vend dhe rrëzoi komunizmin.

Për Ditën e Rinisë, Forumi Rinor i Partisë Demokratike do të zhvillojë një marshim-protestë në Tiranë. Eshtë njoftuar se marshimi do të nisë në orën 11:00 nga Qytet Studenti deri te Kryeministria. Marshimit do t’i bashkohet edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Homazhe po zhvillohen edhe nga Partia e Lirisë në bustin e Hazem Hajdarit.

“Dita e Rinisë”

Më 8 Dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të protestave që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Të organizuar ata marshuan nga ‘Qyteti Studenti’ drejt qendrës së Tiranës. Me thirrjet “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike, ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës si dhe integrimin në Europë.

Protestat do të vazhdonin edhe në ditët në vijim deri në datën 11 Dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramiz Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, që solli më pas themelimin e Partisë Demokratike.

Lëvizja Studentore do të vijonte deri në rrëzimin përfundimtar të diktaturës komuniste dhe instalimin e sistemit demokratik. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us