Një ditë para për balljes së shumëpritur kundër Serbisë, Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar dje seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Air Albania”. Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, skuadra ka qenë në formacion të plotë, pa asnjë mungesë apo shqetësim fizik, çka ka sjellë qetësi dhe siguri në kampin kuqezi. Stërvitja ka nisur me një mbledhje të shkurtër në mesfushë, ku trajneri brazilian ka folur me ton të qetë me lojtarët, duke dhënë udhëzimet përfundimtare.
Ndërkohë, para Shqipërisë, në të njëjtin stadium, por në anën e majtë të fushës, edhe kombëtarja e Serbisë ka kryer stërvitjen e saj përmbyllëse. Edhe serbët janë përgatitur në qetësi, duke shmangur çdo kontakt apo ndërveprim me palën shqiptare, në një atmosferë profesionale dhe të kontrolluar. Ndeshja do të luhet sot në mbrëmje në “Air Albania” dhe pritet me interes të jashtëzakonshëm nga tifozët.
FORMACIONI- Pjesa më delikate e gjithë përgatitjeve për sfidën ndaj Serbisë mbetet zgjedhja e formacionit titullar. Cilët do të jenë 11 “luftëtarët” që do të zbresin në fushën e “Air Albania”-s mbrëmjen e sotme? Një pyetje që ende nuk ka përgjigje përfundimtare, pasi ndonëse Silvinjo ka testuar disa skema gjatë stërvitjes, gjithçka mund të ndryshojë në momentin e fundit. Ajo që duket e sigurt është prania e Thomas Strakoshës mes shtyllave.
Në mbrojtje, Gjimshiti, Mitaj dhe Balliu pritet të jenë emrat që e nisin nga minuta e parë, ndërsa një balotazh interesant zhvillohet për vendin e fundit mes Ismajlit, Ajetit dhe Kumbullës. Mesfusha mbetet një tjetër repart me dilema. Nedim Bajrami është duke u parë si një alternativë serioze për të nisur nga minuta e parë në rolin e mesfushorit ofensiv, në vend të Qazim Laçit. Ndërkohë, Asllani dhe Ramadani janë në avantazh krahasuar me emra si Shehu, Pajaziti apo Berisha.
SERBIA- Ndërkohë nga ana tjetër, Serbia pritet ta nisë në portë me Petroviç, në mungesë të portierit të parë Rajkoviç. Ndërsa treshja e mbrojtjes mund të jetë Erakoviç, Milenkoviç dhe Pavloviç. Sa i përket mesfushës, Zivkoviç, Gudejl, Maksimoviç dhe Tërviç. Në ofensivë, Stojkoviç mund ta nisë me Samarxhiç, Lukiç dhe një sulmues mes Mitroviç ose Vlahoviç. Pa harruar edhe Luka Joviç, i cili është një kandidat i fortë për nga minuta e parë.