Opozita e kryesuar nga Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë sot në orën 9:00 para Gjykatës së Lartë, ku do të jepet edhe vendimi për vulën e Partisë Demokratike.
Gjykata e Lartë do të vendosë mëngjesin e së mërkurës për rrugën që do t’i japë çështjes së kujt i përket vula dhe simbolet e Partisë Demokratike. Në Dhomë Këshillimi do të shqyrtohet kërkesa e paraqitur prej mbështetësve të Berishës, sipas të cilëve, në fuqi duhet të jetë vendimi i Shkallës së Parë, ku Agron Zhukri të drejtën ia la Kuvendit të 11 dhjetorit të “Rithemelimit”.
Sipas procedurës, trupa do të ketë mundësinë që të marrë vendim pa dëgjuar palët, por në shqyrtim të dokumenteve. Të tria mundësitë mbeten të hapura, ku një është lënia në fuqi e Apelit, që kërkon rishqyrtimin e plotë të çështjes, duke shfuqizuar vendimin “Zhukri”, pra të shprehet në favor të grupimit “Basha”.
Ndërkaq, procesi do të shoqërohet me protesta të thërritura nga Berisha para Gjykatës së Lartë, tubim i kërkuar në orën 09:00 në të njëjtin moment kur Gjykata e Lartë do të mblidhet për të dhënë vendimin, që ka nisur dy vite më parë në dhjetor të vitit 2021. Deputeti demokrat, Flamur Noka tregoi dje disa detaje nga protesta, ndërsa tha se nëse vula do t’i jepet Bashës, aksioni opozitar do të intensifikohet edhe më shumë.
“Sot do protestojnë në orën 9 para Gjykatës së Lartë. Gjykatat politike të regjimit autokratik prej dy vitesh ia kanë lënë vulën paligjshmërisht me urdhër politik të Edi Ramës. Në rast se regjimi do vazhdojë me urdhra politikë për të mbajtur peng apo të rrëmbyer simbolet tona, ne do ta përshkallëzojmë përsëri betejën tonë dhe asgjë nuk do na ndalojë në këtë rrugë. Rruga jonë është pa kthim, përballje dhe mosbindje civile deri në gjunjëzimin e këtij regjimi. Ne kemi vendos mosbindjen civile.