Avokati Spartak Ngjela tha për ‘Studio Live’ se taktikës së zvarritjes së seancës paraprake të aferës në dosjen ‘Partizani’, ku i pandehur është Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, po u vjen fundi dhe do kalojë në proces.
Ai bën përgjegjës avokatët e të akuzuarve si shkaktarë të kësaj zvarritjeje mbi 6-mujore të çështjes që nuk duhet të kishte marrë më shumë se një muaj kohë sipas procedurës penale.
Ngjela u pyet nga moderatori Arbër Hitaj edhe për konsulentin e fushatës së PD-së, Chris LaCivita, nëse e ka forcën që t’ia heqë ‘non gratën’ Berishës dhe ta ndihmojë që të fitojë zgjedhjet.
“LaCivita nuk ka ardhur për lobim, por për PD-në, për zgjedhjet, e ka marrë, e ka paguar si frengu pulën, por jo se do ta shpëtojë, nuk ia heq dot non gratën. E ka vendosur Amerika. Kini parasysh këtë, a mund të vij një amerikan i nivelit normal të shpëtojë një ‘non grata’ në Amerikë? Ju merreni me këtë mjekrrën, Amerika e di çdo të thotë non grata, edhe Berisha e di që çfarë do të thotë të jesh non grata. Pra ai është non grata në të gjithë Perëndimin”, nënvizoi Ngjela për Report TV.