Statistikat fundosin sulmin e Shqipërisë së Sylvinho-s

Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar deri më tani katër përballje në kualifikueset e Kupës së Botës 2026, që janë gjysmat e ndeshjeve në dispozicion për të realizuar ëndrrën e një kualifikimi të parë historik në një Botëror për kuqezinjtë.

Katër ndeshje, pesë pikë dhe vendi i dytë në grup, nuk janë shumë shpresëdhënëse për kuqezinjtë, ndonëse mbeten edhe katër ndeshje të tjera për t’u rikuperuar.

Shqipëria i nisi kualifikueset me një humbje përballë Anglisë, 2-0, më pas erdhi fitorja 3-0 ndaj Andorrës dhe, tani, janë dy barazime të njëpasnjëshme 0-0 me Serbinë dhe 1-1 me Letoninë.

Ajo që bie në sy te kuqezinjtë, pavarësisht rezultateve në fushë, janë statistikat e dobëta.

Statistikat tregojnë më së miri fytyrën e ekipit të Sylvinho-s, i cili po vuan jo pak në këto kualifikuese.

Faza sulmuese

Shqipëria ka luajtur katër ndeshje, duke shënuar katër gola (një autogol) dhe duke pësuar tre. Siç del, kuqezinjtë shënojnë mesatarisht një gol për ndeshje.

Tre golat e shënuar nga djemtë e drejtuar nga Sylvinho, duke përjashtuar autogolin me Letoninë, kanë ardhur nga brenda zonës së rreptësisë. Dhe, kanë ardhur pas 23 tentativave.

Nga jashtë zonës së rreptësise nuk ka ardhur asnjë gol, kjo pavarësisht 18 tentativave.

Shqipëria krijon mesatarisht 1.3 shanse të mëdha për ndeshje dhe humbet 0.5 shanse të mëdha.

Përsa i përketë gjuajtjeve totale, kuqezinjtë kanë 10.3 mesatarisht për ndeshje, të cilat ndahen: 3.5 në kuadrat, 4 jashtë dhe 2.8 të bllokuara.

Driblimet e suksesshme të kuqezinjëve kapin një mesatare 6.8 për ndeshje, ndërsa atyre iu shtohen 4 goditje nga këndi dhe 14 gjuajtje të lira.

Lajme të tjera |  "Plas" në Serbi, Presidenti Vucic del kundër Federatës, shkak ndeshja me Shqipërinë dhe Anglinë

Për dallim, në krahasim me dy ekipet e tjera pretendente të grupit si Anglia dhe Serbia, statistikisht kuqezinjtë janë më poshtë.

Kështu, Anglia (ka luajtur tre ndeshje) ka mesatarisht për ndeshje: 2 gola të shënuar, 19.7 gjuajtje në total, krijon 5 shanse të mëdha, 8 gjuajtje në kuadrat, 11.3 driblime të suksesshme, si dhe 8.7 goditje nga këndi.

Në krahun tjetër, Serbia (ka luajtur dy ndeshje) ka mesatarisht për ndeshje: 1.5 gola të shënuar, 14 gjuajtje totale, 4.5 gjuajtje në kuadrat, 2 shanse të mëdha, 6.5 driblime të suksesshme dhe 7 goditje nga këndi.

Kjo tregon se kuqezinjtë po vuajnë në këtë fazë të fushës, ndonëse është një repart i mbipopulluar.

Lojtarët

Rey Manaj ka qenë qendra e zjarrit për kuqezinjtë, dhe ai e ka justifikuar veten me dy gola, si dhe kishte një farë ndikimi në autogolin e Letonisë. Gjithashtu ka edhe një penallti të humbur. Të gjitha këto kanë ardhur në 235 minuta në total, në tre ndeshje, ku të gjitha i ka nisur si titullar.

Përqindja e konvertimit të rasteve në gol për Manajn është 20 për qind.

Për krahasim, Harry Kane i Anglisë ka tre gola në tre paraqitje dhe në 270 minuta të luajtura. Aleksandar Mitrovic i Serbisë ka tre gola në dy paraqitje dhe në 159 minuta.

Por, përveç Manajt që ka pasur ndikim të dukshëm në lojën e Shqipërisë, pjesa tjetër e repartit të sulmit mbetet shumë nën pritshmëri.

Armando Broja është paraqitur në katër ndeshje, tre prej të cilave si titullar. Asnjë gol dhe vetëm një asist.

Lajme të tjera |  Blerja më e bujshme e Manchester City-t në merkaton e verës, sulmuesi francez: Nuk keni parë asgjë akoma

Myrto Uzuni ka pasur katër paraqitje, një si titullar, duke gjetur rrjetën vetëm një herë.

Mirlind Daku është paraqitur në dy ndeshje, asnjë si titullar. Asnjë gol për shtatlartin.

Ernest Muçi është paraqitur në vetëm një ndeshje, jo si titullar. Asnjë gol për lojtarin e Besiktas-it.

Arbër Hoxha është paraqitur në katër ndeshje, tre si titullar. Lojtari i Dinamo Zagrebit ka një asist në emrin e tij.

Nedim Bajrami ka luajtur në tre ndeshje, vetëm një si titullar. Asnjë gol apo asist për lojtarin e Rangers-it.

Jasir Asani ka zhvilluar vetëm një ndeshje dhe atë si titullar. Megjithatë, nuk ka asnjë gol apo asist nga ai.

Notat për paraqitjet e kuqezinjëve në katër ndeshjet e para kualifikuese gjithashtu flasin shumë.

Manaj është sulmuesi më i vlerësuar, me notën 7.37.

Nga i gjithë ekipi i Shqipërisë, duke përfshirë edhe lojtarët që kanë të paktën një paraqitje, Manaj renditet i pesti pas: Elseid Hysajt 7.90, Kristjan Asllani 7.55, Mario Mitaj 7.45 dhe Juljan Shehu 7.43.

Uzuni është sulmuesi i dytë më i vlerësuar te kuqezinjtë me 6.80, po aq sa Hoxha. Broja me Dakun vijnë më pas më 6.78 dhe 6.75 përkatësisht.

Në renditjen e përgjithshme të ekipit, Uzuni është i 12-ti më i vlerësuari, Hoxha i 13-ti, Broja i 14-ti dhe Daku i 15-ti.

Ky është një tjetër tregues i brishtësisë së fazës sulmuese të Shqipërisë, e cila në fakt shtrihet edhe në zona të tjera të fushës.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us