Avokati i Ilir Beqaj, Ermal Yzeiraj ka publikuar në faqen e tij në Facebook deklaratën publike të ish ministrit.
Në deklaratën publike ai ka përcaktuar disa pika të cilat i quan të pavërteta në lidhje me çështjen e “Sterilizimit” për të cilën akuzohet.
“Në fund të ditës, monitorimi serioz nuk është as memec, as propagandistik. Është akt profesional dhe përgjegjës. Dhe nëse nga monitorimi nuk nxjerr të vërteta, por vetëm klishe, atëherë nuk je duke monitoruar – je duke keqinformuar. Dhe kjo është më e rrezikshme se mosinformimi.
Sepse siç thotë një thënie e vjetër, “mashtrimi më i madh është ai që tingëllon i besueshëm”. Kjo është ajo që po na ndodh: shumë zhurmë, pak fakte shumë monitorues, pak monitorim”, shprehet ish ministri i Shëndetësisë.
Gjyqi për dosjen “Sterilizimi” po zhvillohet i ndarë nga ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili ndryshe nga tetë të pandehurit e tjerë që kërkuan gjykim të shkurtuar, ka kërkuar gjykim të zakonshëm.
Postimi i Ermal Yzeirajt:
Deklaratë publike e Z. Ilir Beqaj
Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Z. Ilir Beqaj, në emër të tij po përcjell këtë deklarim publik:
Monitorimi si sport kombëtar
Nga Ilir Beqaj
Fjala “monitorim” është bërë kaq e zakonshme në diskursin publik sa shpesh harron kuptimin e vet. Për ta qartësuar në fillim: monitorimi është një akt sistematik vëzhgimi, për të ndjekur ecurinë, performancën apo përmbushjen e një angazhimi konkret.
Në thelb, është një proces serioz, që kërkon kompetencë, qartësi dhe ndershmëri. Por në Shqipëri, monitorimi shpesh bëhet “me sy të lirë” dhe “me mendje të ngarkuar”.
Prej nëntë vitesh është kthyer në interes publik ajo që ndryshe quhet “kontrata e sterilizimit”. Madje, monitorimi i kësaj kontrate është shndërruar në një lloj sporti kombëtar, ku shumë garojnë për të nxjerrë rekordin e radhës të keqinterpretimit. Nuk ka rëndësi as objekti i kontratës, as shifrat reale, as rezultatet faktike. Mjafton një e pavërtetë që të përsëritet aq shpesh sa të duket si e vetmja e vërtetë.
Për të kthyer debatin në shinat e arsyes, më lejoni të rendis disa nga këto të pavërteta të monitoruara publikisht, që janë bërë tashmë si refren:
E pavërteta nr. 1: Kontrata e sterilizimit.
Në fakt, kontrata as që ka emër të tillë. Objekt i saj është “furnizimi i setit të personalizuar të instrumentave kirurgjikale”.
Si shumë gjëra që huazojmë nga Italia, edhe kjo kontratë ndjek modelin e “gestione integrata dello strumentario chirurgico”. Kush ka sy të lexojë, le ta lexojë.
E pavërteta nr. 2: Janë shpenzuar 50% më shumë se vlera fillestare.
Nga dhjetori 2015 deri më 30 prill 2025 janë shpenzuar 11.6 miliardë lekë – shumë më pak se 15 miliardë, që përmendet shpesh si “shifra e tmerrit”. Deri në fund të kontratës, shpenzimet nuk pritet të kalojnë 13 miliardë.
E pavërteta nr. 3: Është tejkaluar vlera e kontratës.
Në të vërtetë, është tejkaluar sasia e ndërhyrjeve kirurgjikale. Kontrata parashikonte 50 mijë operacione në vit, ndërkohë që janë realizuar rreth 65 mijë – një rritje prej 30%. Dhe, për habinë e monitoruesve, kur rritet sasia e shërbimit, rritet proporcionalisht edhe pagesa. Pra, nuk është çështje abuzimi, por çështje aritmetike.
E pavërteta nr. 4: TVSH përfshihet në koston e kontratës.
Në çdo kontratë publike, TVSH nuk përfshihet në vlerën e kontratës – kjo është elementare. Po si t’ua thuash monitoruesve që nuk lexojnë as titullin e kontratës?
E pavërteta nr. 5: Vlera në lekë është rritur se tani përkthehet në euro.
Sipas kësaj logjike, çdo gjë që ka ndodhur para rritjes së euros duhet të quhet e fryrë. Nëse një kontratë është në një monedhë të caktuar, çdo referim dhe monitorim duhet bërë në atë monedhe. Përndryshe, nëse një kontratë ka qenë 140 lekë (1 euro) kur euro ishte 1 me 140, sot të thuash se është bërë 1.4 euro apo 40 % më shumë është manipulim bazik financiar.
E pavërteta nr. 6: Nuk ka monitorim të efekteve reale të kontratës.
Një nga përfitimet më të rëndësishme të kontratës për furnizimin me sete të personalizuara kirurgjikale ka të bëjë me ndikimin që ajo ka pasur në dita-mesatare të qëndrimit në spital, një indikator kyç i performancës së sistemit shëndetësor.
Në vitin 2013, pra para zbatimit të kontratës, dita mesatare e qëndrimit për një pacient të operuar në spital ishte 6.5 ditë. Në vitin 2024, pas tetë viteve zbatim, ajo ka rënë në 4.8 ditë.
Ulja është 1.7 ditë për çdo pacient, çka përbën një arritje domethënëse për efikasitetin e kujdesit spitalor.
Kjo ulje vjen në një kohë kur është rritur ndjeshëm edhe numri i ndërhyrjeve kirurgjikale të realizuara në sistemin publik. Kontrata parashikonte furnizimin për 50,000 ndërhyrje në vit, ndërsa në vitin 2024 janë realizuar 65,000 ndërhyrje – 30% më shumë se sa angazhimi fillestar.
Dhe ja rezultati konkret:
– Në 2013: 50,000 pacientë × 6.5 ditë = 325,000 ditë qëndrimi spitalor
– Në 2024: 65,000 pacientë × 4.8 ditë = 312,000 ditë qëndrimi spitalor
Pra, janë operuar 15,000 pacientë më shumë, por janë konsumuar 13,000 ditë më pak qëndrimi në spitale publike.
Kjo është prova që kontrata ka kontribuar jo vetëm në rritjen e aksesit në shërbime shëndetësore falas, por edhe në rritjen e efikasitetit të sistemit, përmes shkurtimit të kohës së shërbimit për pacientin dhe lirimit më të shpejtë të kapaciteteve spitalore.
Por askush nga “monitoruesit” nuk është lodhur t’i mbledhë këto shifra. Askush nuk ka pyetur se çfarë efekti ka pasur kontrata në shpejtësinë e trajtimit, në menaxhimin e kapaciteteve, në reduktimin e infeksioneve, apo në përdorimin e antibiotikëve. Ata nuk i intereson përmirësimi i rezultateve shëndetësore.
U mjafton të përsërisin të pavërteta në mënyrë ciklike.
Në vend që të përgëzohet fakti që më shumë njerëz janë shërbyer më shpejt dhe më mirë, ky realitet anashkalohet me një padurim të qëllimshëm për të mos parë të mirën.
E pavërteta nr. 7: Nuk përllogaritet impakti ekonomik.
Duke qëndruar 1.7 ditë më pak në spital, janë kursyer mbi 100 mijë ditë paaftësie për punë dhe janë shtuar rreth 55 mijë ditë kontribut në ekonomi. Le t’i ftojmë monitoruesit të bëjnë më në fund edhe njëherë llogaritjet, por këtë herë për përfitimet.
E pavërteta nr. 8: Askush nuk ka monitoruar infeksionet dhe përdorimin e antibiotikëve.
Kjo është thjesht dembelizëm. Le të shkojnë njëherë në Institutin e Shëndetit Publik dhe të marrin të dhënat. Po të duan vërtet të monitorojnë.
Në fund të ditës, monitorimi serioz nuk është as memec, as propagandistik.
Është akt profesional dhe përgjegjës. Dhe nëse nga monitorimi nuk nxjerr të vërteta, por vetëm klishe, atëherë nuk je duke monitoruar je duke keqinformuar. Dhe kjo është më e rrezikshme se mosinformimi.
Sepse siç thotë një thënie e vjetër, “mashtrimi më i madh është ai që tingëllon i besueshëm”. Kjo është ajo që po na ndodh: shumë zhurmë, pak fakte – shumë monitorues, pak monitorim.