Ndryshimet demografike të theksuara dhe kushtet e vështira ekonomike për të moshuarit kanë bindur qeverinë t’i japë një rëndësi më të madhe zhvillimit të politikave të dedikuara për këtë grupmoshë.
Kujtojmë se ky sektor është nënvizuar herë pas here nga qeveria si prioritet, ndërsa Kryeministri Edi Rama e cilësoi një nga objektivat për mandatin e katërt. Target është që pensioni minimal 200 euro të arrihet brenda 2030-ës. Shteti shqiptar, siç ka deklaruar Rama, ka dhënë 165 milionë euro për pensionistët me bonuset në fundvit e pranverë. Edhe për ata shqiptarë që kanë kontribuar në Greqi, më në fund do të ndërmerren hapa konkretë për pensionet e tyre, për të cilat pritet të firmoset marrëveshja me vendin tonë.
Në mbledhjen e fundit qeveria ka bërë gati vendimin për dhënien e pensionit të 13-të për të moshuarit, pjesë e dokumentit i cili kërkon që të paktën deri në 2030-tën të realizohet, si një formë për të ofruar më shumë dinjitet për pensionistët aktualë. Deri më tani qeveria ka aplikuar indeksimin vjetor të pensioneve sipas inflacionit të çmimeve të shportës si dhe bonusin vjetor, i cili përgjatë 2024 ka qenë në rritje në raport me vitet e tjera.
Të dhënat evidentuan se me gjithë progresin e bërë nga reforma e pensioneve apo mbështetja që Qeveria shqiptare ka dhënë për të moshuarit, çështja e pavarësisë financiare të të moshuarve e në mënyrë të veçantë, të moshuarve të vetmuar, burrave dhe grave, mbetet prioritet për një jetesë dinjitoze. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore përgjatë vitit 2024 kanë ardhur në rritje të vazhdueshme, por pavarësisht rritjes, ato nuk kanë arritur të mbulojnë kërkesat në rritje për pensione dhe shërbime shëndetësore, siç reflektohet në të dhënat që tregojnë rritjen e presioneve për këto shpenzime.
Konkretisht, të ardhurat nga fondet speciale të cilat kanë reflektuar rritjen e pagave dhe numrit të kontribuuesve në skemën e sigurimeve janë rritur ndjeshëm gjatë viteve, duke kapërcyer nga 61.5 miliardë lekë në vitin 2014 në 139.4 miliardë lekë në vitin 2024, apo e thënë ndryshe në nivelin 123.6%. Dokumenti parashikon edhe reformimin e skemës së pensioneve si dhe rritjen e moshës së daljes në pension. Aktualisht gratë dalin në pension 61 vjeç e 10 muaj, ndërsa burrat dalin 65 vjeç. Për gratë mosha rritet me 2 muaj çdo vit, ndërsa për burrat rritja do të nisë në vitin 2032, me qëllim që në vitin 2056 mosha e pensionit të jetë 67 vjeç për të dyja gjinitë. Por BE ka kërkuar përshpejtim të rritjes së moshës dhe mesa duket, kjo kërkesë do të pranohet nga qeveria, përsa kohë është vënë si objektiv edhe në këtë strategji 5- vjeçare. Projektohet edhe avancim në përpjekjet për marrëveshje me Greqinë për vitet e punës për shqiptarët që jetojnë atje./Gazeta Panorama